Pas denoncimit të deputetit Belind Këlliçi në Komisariatin nr. 1 për thyerjen e zyrës së FRPD-së dhe pretendimit se janë marrë materiale pune dhe personale në brendësi, nga persona brenda PD, policia ka bërë këqyrjen e ngjarjes.
“Blutë” kanë administruar të gjitha materialet që pretendohen se mund të shërbejnë për të hetuar në lidhje me denoncimin.
Policia bënë me dije se është nisur kërkesë zyrtare për dorëzimin e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, pamje të cilat edhe pse kanë kaluar dy ditë ende nuk janë dorëzuar dhe pritet të administrohen zyrtarisht.
Policia nuk ka marrë ende persona në pyetje pasi denoncimi i Këlliçit nuk i referohet emrave konkretë. Në vazhdim, bashkë me prokurorinë pritet të vijohet me hetimet për ngjarjen.
Kujtojmë se Këlliç denoncoi live para kamerave, ndërkohë që Sali Berisha dhe mbështetësit e tij shkuan në selinë blu.
Deputeti pretendon se i janë marrë sendet në zyrën e tij dhe se persona të armatosur kërcënuan të rinjtë e FRPD.