Terry Hall, këngëtari kryesor i “The Specials” dhe ish-anëtar i grupeve “Fun Boy Three” dhe “Colourfield”, ka vdekur në moshën 63 vjeçare – kanë konfirmuar shokët e tij të grupit.
“Me pikëllim të madh njoftojmë vdekjen – pas një sëmundjeje të shkurtër – të Terryt, mikut, vëllait tonë të mrekullueshëm dhe një prej këngëtarëve dhe kantautorëve më të shkëlqyer që ka prodhuar ndonjëherë ky vend”, njoftoi grupi në Twitter.
Hall u bë një nga zërat kryesorë të muzikës pop të viteve të tetëdhjeta. Së bashku me grupin “The Specials”, ai publikoi këngën e tij debutuese “Gangsters” në 1979, e cila arriti në vendin e gjashtë në top-listat në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata dominuan Top 10 për dy vitet e ardhshme, duke arritur kulmin me këngën e tyre të dytë “Ghost Town” në vitin 1981. Teksti i kësaj kënge fliste për prishjen urbane britanike, papunësinë dhe rininë e padrejtë.
Hall më vonë formoi një grup tjetër, “Colourfield”, në vitin 1984, i cili pati hitin “Thinking of You”. Ai u bë një bashkëpunëtor i shpeshtë gjatë dekadave në vijim, duke punuar me Ian Broudie të “Lightning Seeds”, aktoren amerikane Blair Booth, “Toots and the Maytals”, Lily Allen, Damon Albarn e “Blur” dhe muzikantë të tjerë të famshëm.
“Terry ishte një bashkëshort dhe baba i mrekullueshëm dhe një nga shpirtrat më të sjellshëm, më qesharakë dhe më të sinqertë. Muzika dhe performancat e tij përmblidhnin vet thelbin e jetës… gëzimin, dhimbjen, humorin, luftën për drejtësi, por mbi të gjitha. për dashuri”, tha gruaja e tij, regjisorja Lindy Heymann, me të cilën kishte një djalë, ndërsa muzikanti kishte edhe dy djem tjerë nga një martesë e mëparshme.