Ditën e sotme gjatë një interviste kandidati për Kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, u shpreh se ka si qëllim që të çmontojë monopolin e kryetarit në PD. Kadilli tha se disa deputetë kanë dalë në mbështetje të kreut të opozitës, ndonëse thekson se kjo gjë nuk lejohet.
“Monopoli i kryetarit, të cilin unë dua ta çmontoj dhe këtë kërkon manifesti im, çmontimin e monopolit të kryetarit, e kryetarit ‘pronar’. Kjo bën që shpesh herë deputetë t’i shërbejnë kryetarit, pasi janë përcaktuar nga ai. Kam parë deputetë që dalin hapur në mbështetje për Bashës, që nuk lejohet. Kryetarët e degëve i shërbejnë Bashës dhe po të shohësh mediet e tyre sociale mbështesin Bashën. Mbështetjen e kam tek anëtarët e partisë tek të gjitha figurat e partisë. Mbështetja është morale, logjike. Ekziston një mbështetje e fortë morale. Edhe tek ato që ndoshta nuk duan të votojnë, ekziston një mbështetje e fortë morale, ok thonë do të mbështes kryetarin sepse presin kandidatët për bashki. Sepse një nga arsyet pse u ndryshua data nga data nga 22 korriku në 13 qershor është se në datë 23 në presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Po të jetë se ky vendim do të ishte negativ ndaj pritshmërive tona do të shkonin në garë 5 bashki nga 61”, u shpreh ai.
Demokrati pretendon se Basha ka humbur moralin për të vazhduar të drejtojë PD-në, pasi sipas tij, ka shpërdoruar mbështetjen dhe ka zhgënjyer pritshmëritë. “Lulzim Basha ka humbur moralin për të vazhduar të drejtojë pasi ka shpërdoruar mbështetjen dhe ka zhgënjyer pritshmëritë. Përballjen e kam me Bashën, pasi është në detyrë dhe përdor të gjithë mjetet e pushtetit në PD, të cilat janë veglat që ka PD, të gjitha këto i përdor më të njëjtin abuzim siç Rama përdor pushtetin për të mundur opozitën dhe ai për të më mundur mua. Kam rival me moralitetin, është shpërdoruar çdo kontribut dhe sakrificë e demokratëve, i bën të gjitha me vetëmohim dhe shkon në humbje. U zhgënjyen edhe qytetarët që prisnin një ndryshim. Nuk ka të drejtë nga ana morale që të qëndrojë më atje”, theksoi Kadilli.