Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli ka dorëzuar sot në Selinë e Partisë Demokratike kërkesën zyrtare për të kandiduar në zgjedhjet për kreun e ri të kësaj force politike.
Në një prononim për mediat, Kadilli tha se gara është e pabarabartë, pasi Basha ka gjithçka në dispozicion, por në aspektin moral, Kadilli tha se ndjehet superior ndaj “kreut në detyre të PD”.
“Është një moment shumë i rëndësishëm në PD. Ka ngarkesë dhe emocion. Është një pikë kthese. Ndonëse është një garë krejtësisht asimetrike. Kryetari në detyrë, nuk del as nga zyra, dhe ka në dispozicion mjetet që ishin menduar përballë kryeministrit Edi Rama.
Ka edhe një asimetri tjetër, asimetria morale, në të cilën ndjehem shumë herë më superior. Pasi vij në këtë garë për të shërbyer, vij në këtë garë duke u përfaqësuar nga vlerat; si integriteti, mbajtja e fjalës, aftësia për të qenë besnik me PD. Jam njeriu që e mbaj fjalën, kam kontribuar me pastërti. Nuk e kam tradhtuar kurrë PD-në. Do çoj deri në fund përpjekjen për të ringritur PD-në.”, tha Kadilli.
Kadilli shtoi se teksa Basha është mbyllur në zyrë, ai është në terren duke takuar demokratët. Partia Demokratike do të mbajë zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur kryetarin e ri më 13 Qershor.
Kryesia vendosi që Partia Demokratike duhet të shkojë në zgjedhje pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, në të cilat Partia Socialiste fitoi mandatin e 3 radhazi.
Komisioni për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD do të drejtohet nga Jemin Gjana. Ndërsa Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se në periudhën 16-22 Maj do të bëhet paraqitja e kërkesave për kandidim.