Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u lirua nga burgu këtë të premte.
Vendimi u mor nga Gjyqtarja e Elbasanit Matilda Fetau, e cila vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtjes së Tahirit pas paraqitjes së disa raporteve mjekësore, duke liruar kështu nga qelia ish-ministrin.
Në raport thuhej se bashkëshortja e Tahirit është sëmurë dhe për rrjedhojë ka vështirësi në përkujdesjen e fëmijëve. Kështu, Gjykatësja Fetau, ka vendosur që pjesën e mbetur të dënimit, prej 1 vit e 7 muaj, Tahiri ta vuajë në shtëpi dhe të kujdeset për fëmijët.
Po kush është Matilda Fetau?
Matilda Fetau u përball të hënën me 29 Maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku dha shpjegime për barrën e provës së pasurisë.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Fetau u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.
Analiza financiare e gjyqtares Fetau ka rezultuar me bilanc pozitiv, kështu në përfundim, gjyqtarja Matilda Fetau u konfirmua në detyrë nga trupa e KPK.
Matilda Fetau përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi u emërua në Gjykatën e Rrethit Elbasan, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.
Ndërkohë lidhur me vendimin për lirimin e ish-ministrit Tahiri ka folur edhe avokati i tij, Maks Haxhia.
Në një deklaratë për mediat Haxhia është shprehur se ish-ministri i ka plotësuar 5 kushtet për tu liruar.