Kalon VKM-ja/ Qeveria rikthen në prag të festave koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar. Ja kush e fitoi PPP-në…  

Në mbledhjen e fundit për këtë vit, qeveria e kryeministrit Edi Rama vendosi që të rikthejë projektin koncesionar të rrugës Thumanë-Kashar përmes autorizimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të vijuar procedurat e negociimit me kompanitë “Gener 2” dhe “G2 Infra’.

Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të kryeministrisë, qeveria ka vendosur që të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të datës 29 korrik 2021, pa e sfiduar atë në Gjykatë të Lartë.

Vendimi shoqërohet nga një “marrëveshje e zgjidhjes”, por kjo e fundit nuk u publikua.

“Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijon procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”,- thuhet në vendim.

Projekti i partneritetit publik privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar ishte pjesë e programit infrastrukturor “1 miliardë euro” të shpallur gjatë mandatit të dytë që qeverisë “Rama”.

Projekti ka një kosto të parashikuar ndërtimi prej 245 milionë eurosh dhe u fitua nga kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj. Pas shpalljes fituese, “Gener 2” themeloi kompaninë bijë G2 Infra për zbatimin e koncesionit.

Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe “Gener 2” hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të çonin në kontratën finale. Por një skandal shpërtheu dhe negociatat nuk u përmbyllën.

Në dhjetor 2018, qeveria u vu në siklet kur u zbulua se një kompani fantazmë me emrin “DH Albania” rezultoi fituese e dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri, pasi kishte përdorur më parë dokumente të falsifikuara.

Dokumente të zbuluara më parë nga BIRN sugjerojnë se ka disa lidhje mes personave që kryen procedura për llogari të kompanisë “DH Albania” dhe kompanisë “Gener 2”, e cila ishte fituesja e tenderit të koncesionit Thumanë – Kashar.

Në janar 2019, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi ndërprerjen e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar, ndërsa shtoi se fondi i koncesionit do të shkonte në dobi të të ashtuquajturit ‘pakti për universitetin”.

Por kompanitë “Gener 2” dhe “G2 Infra” e paditën urdhrin e Ballukut në gjykatë dhe e fituan çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në prag të pushimeve verore më 29 korrik, trupa gjyqësore e drejtuar nga Rilinda Selimi dhe me anëtare Altina Nasufin dhe Blerona Hasën vendosi që të pranojnë padinë e ngritur nga kompanitë “Gener 2” dhe “G2 Infra” kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Sipas dispozitivit të publikuar në faqen zyrtare të gjykatës, Apeli Administrativ ka vendosur që të shfuqizojë urdhrin e datës 25 janar 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës “Për ndërprerjen e dhënies së koncesionit”.

Trupa gjykuese vendosi gjithashtu t’a detyronte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës që t’i përcillte për miratim Këshillit të Ministrave draft-kontratën koncesionare për projektin Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar.

/Burimi: BIRN/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *