Operacioni policor i koduar “Fijet” ka nisur zbatimin në terren në mënyrë të gjerë edhe në kryeqytet, pas shtrirjes në 7 qarqe të ndryshme në të gjithë vendin ku u çmontuan 185 kamera në total. Prej disa ditesh, komisariatet e Tiranës të mbështetura edhe nga forcat “Shqiponja” kanë identifikuar zonat me përqëndrim të lartë me kamera dhe kanë çmontuar disa prej tyre, ndërsa nga kjo e hëna operacioni po kryhet për çmontimin e plotë të tyre.
Kështu, deri në orën 11.00 të paradites, në 6 komisariatet e Tiranës janë: Në Komisariatin nr. 1 janë çmontuar 12 kamera në zonën “Ali Demi”, Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës e më gjerë. Më Komisariatin nr. 2 janë çmontuar 4 kamera, 2 prej të cilave nga vetë subjektet që i kanë vendosur, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.
Në Komisariatin nr. 3 janë çmontuar më shumë se 10 kamera deri tani, kryesisht në rrugën “Fortuzi”, “Laprakë”, “Institut” dhe “Don Bosko”. Në komisariatin nr. 4, sipas burimeve, deri tani janë çmontuar më shumë se 20 kamera të paligjshme në zonat “Xhamliku”, “5 Maji”, “Fresku” dhe “Myslym Keta”. Në Komisariatin nr. 6 janë çmontuar 2 kamera, njëra në Yzberisht dhe tjetra në Fushë Mëzez. Operacioni “Fijet” akoma nuk ka nisur në Komisariatin nr. 5 në Kamëz.