Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas lajmit se në Shkodër janë çmontuar 21 kamera që dyshohet se ishin vendosur nga grupe kriminale. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ai shkruan se krimi ka një kontroll të rreptë në territorin e vendit. Sipas Berishës, bandat kontrollojnë jo vetëm territorin, por edhe vendimmarrjen, duke theksuare se “ky është një narkoshtet”.
“Krimi kontroll të rreptë të territorit. Bandat kanë vendosur krahas policisë kamera speciale në shtyllat elektrike në rrugët dhe sheshet e qytetit të Shkodrës për kontrollin e qytetit. Si Shkodra, në sundimin e krimit është e mbarë Shqipëria. Bandat kontrollojnë jo vetëm territorin, por dhe vendimarrjen: në rruge, në zyra, në polici, gjykata, prokurori, qeveri, parlament dhe çdo gjë! Ky është narkoshtet!”, shkroi Sali Berisha.
Policia e Shkodrës çmontoi ditën e sotme 21 kamera në shtyllat elektrike të cilat dyshohet se ishin vendosur nga persona apo grupe kriminale për të marrë informacione mbi lëvizjet e efektivëve.