Java e pestë e kampionatit të futbollit të vajzave ka mbyllur siparin e saj, duke dhuruar gola dhe shumë spektakël.
Vllaznia vijon të ruajë kreun e renditjes, pas fitores 7-0 ndaj Partizanit që arriti në shtëpi të shtunën. Shkodranet dominuan sfidën, teksa goli i parë i sfidës erdhi nga lojtarja e Partizanit, Beqiraga, e cila gaboi dhe kaloi në avantazh Vllazninë në minutën e 30-të. Doçi dhe Patterson u kujdesën të realizonin edbe dy gola të tjerë gjatë pjesës së parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës shkodranet shënuan edhe katër gola të tjerë me Esi Lufon, e cila realizon dy gola, Megi Doçin e Klaudia Borcin.
Sakaq, Apolonia mori një fitore të rëndësishme në shtëpi, pasi mposhti me shifrat e thella 7-0 Teutën. Troka ishte pa dyshim protagonistja e kësaj sfide, me 5 gola të shënuar, katër prej të cilëve në pjesën e parë. Rrugën e rrjetës e gjetën edhe Hamonikaj e Levenaj, teksa kjo fitore që vlen tre pikë i rendit fieraket në vendin e tretë me 12 pikë, po aq sa Tirana, që në këtë javë të pestë kishte përballë Laçin.
Vajzat bardheblu arritën të siguronin tre pikë të rëndësishme pas triumfit 5-2 kundër Laçit. Kryeqytetaset kaluan që në tre minutat e para në avantazh të dyfishtë me Cokën, ndërsa në pjesën e parë realizon edhe Kodra. Fabiola Caka ngushton shifrat në minutën e 43-të, teksa në fraksionin e dytë, Ago realizon edhe dy herë të tjera për Tiranën. Laçjanet gjejnë edhe golin e dytë me Iris Armokun, por kjo nuk ndryshon asgjë, me ndeshjen që përfundon me shifrat 5-2. Sakaq, këtë të diel janë luajtur edhe dy sfida të tjera të javës së pestë. Kukësi mundi me rezultatin e thellë 9-0 Skënderbeun, me pesë gola të realizuar nga Rosela Vasa. Rrjetën e gjeti dy herë edhe Matilda Tanushi, si edhe Prendi e Rrotaj. Një tre pikësh shumë i rëndësishëm ky për kuksianet që ngjiten tashmë në vendin e pestë.
Edhe Kinostudio arriti të marrë një fitore të rendesishme në shtëpi kundër Lushnjes. Kryeqytetaset triumfuan me rezultatin 8-0, duke e zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë, që përfundoi me shifrat 3-0. Sakaq, në pjesën e dytë të lojës, Kinostudio gjeti edhe pesë herë të tjera rrjetën, duke siguruar kështu tre pikë mjaft të vlefshme.