Një ndër temat e bisedimeve të koalicionit për qeverinë e ardhshme në Gjermani pritet të jetë edhe legalizimi i kanabisit. Ka mbështetje, por edhe paralajmërim për një hap të tillë.
Kanadaja e legalizoi kanabisin para tre vjetësh. A do ta ndjekë atë Gjermania këtë model të kultivimit të kontrolluar dhe blerjes së kontrolluar të kanabisit?Në Gjermani, lejohet vetëm kanabisi mjekësor me recetë e rregulla të rrepta, pjesa tjetër e tregtisë me kanabisin zhvillohet në ilegalitet.
Tani tre partitë gjermane që zhvillojnë bisedimet për koalicionin e ardhshëm qeveritar, socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët pritet të trajtojnë në bisedime edhe legalizimin e kanabisit. Për të Gjelbrit gjermanë, që kanë si model Kanadanë, është më mirë që kanabisi të legalizohet dhe të ketë kontroll. Si të Gjelbrit edhe liberalët mbështesin legalizimin e kanabisit në dyqane të liçencuara për përdorim vetjak të të rriturve.
Partneri më i madh në një koalicion të mundshëm, socialdemokratët tregohet i hapur për këtë legalizim, por do ta testojë këtë njëherë në projekte model tek të rriturit. SPD thotë në programin e saj, se konsumi i kanabisit është “realitet shoqëror”, prandaj për këtë do gjetur një përgjigje adekuate politike.
Pro dhe kundër
Për gjyqtarin e çështjeve penale të të rinjve, Andreas Müller “nuk ka më argumente kundër prohibicionit” të tij. Müller tha për Deutschland funk të premten, (21.10.)se ka ardhur koha që të dekriminalizohet kanabisi, sepse sipas tij alkooli është shumë herë më i rrezikshëm. Madje gjyqtari Müller e ka çuar çështjen edhe për trajtim në Gjykatën Kushtetuese. “70.000 të vdekur në vit vetëm në Republikën Federale Gjermane nga alkooli. Në të gjithë botën asnjë të vdekur nga kanabisi.”
Ekspertët megjithatë paralajmërojnë. Maximilian Gahr, kryemjek në Klinikën Universitare të Ulmit, Dega e Psikiatrisë dhe Psikoterapisë, thotë për “Welt” se “ka studime, sipas të cilave, përdorimi i hershëm i kanabioideve tek të rinjtë, ka mundësi të shkaktojë pasoja të rënda, për shkak se zhvillimi i trurit ende nuk është përfunduar.” Sipas Gahr pasojat janë ndryshimi i strukturës së trurit, sfera të caktuara në tru, si psh korteksi mund të zvogëlohen, me pasojë ndryshim të aftësisë mendore tek të rinjtë. Nëse kanabis lejohet, sipas Gahr, atëherë vetëm për persona nga mosha 21 ose madje 25 vjeç.
Paralajmërimeve për rrezikun që mund të shkaktojë legalizimi i kanabisit tek rinia, Müller i përgjigjet se mund të gjejnë sot në çdo cep ilegalisht kanabis, e ai është pjesërisht “plehrë” apo “gjë e fallsifikuar”. “Ata rrezikohen më shumë në këtë situatë, realisht ata do të mbroheshin”. Megjithatë Andreas Müller thekson, se të rinjtë nuk duhet të marrin substanca psikoaktive gjatë zhvillimit të tyre. Müller e sheh zgjidhjen tek një “ligj efektiv i kontrollit të kanabisit”, i cili që e lejon shitjen prej moshës 18 vjeç.
Edhe në media gjermane theksohet se legalizimi duhet bërë i kontrolluar. Në një analizë të “Stuttgarter Zeitung” (19.10) theksohet se “dhëni e rregulluar e kanabisit për të rriturit në projekte model të landeve e komunave mund të testohet, e të shoqërohet nga ana shkencore. Kështu mund të fitohen dijeni, se çfarë bën ai me shoqërinë tonë.”
Nga legalizimi i kanabisit pret impulse edhe industria farmaceutike gjermane, që e merr kanabisin mjekësor nga jashtë. Kanabis mjekësor shitet ndërkohë me recetë në farmacitë gjermane. Me recetë mjekësore, kanabisi përdoret për trajtimin e formave të epilepsisë, në rastin e sklerorës së shumëfishtë, si edhe në rastet e të vjelljave pas kimioterapisë. Shoqata Gjermane kundër Dhimbjes ka kërkuar një dialog konstruktiv të të gjitha grupeve të interesit.
“Trajtimi i dhimbjeve kronike me kanabis mjekësor ndodhet në një marrëdhënie tensionuese në rritje të interesave financiare shpresave të të prekurve dhe një efektiviteti të paprovuar”, është shprehur, Frank Petzke, drejtues i Komisionit të Kanabisit Mjekësor në Manheim. Ai kërkon një përballje “kritike dhe racionale” me rreziqet afatgjata, përfitimin konkret dhe kostot e trajtimit. Vetëm në gjysmën e këtij viti është dhënë me recetë kanabis në vlerë 90 milionë euro në Gjermani./DW