Kanadaja, Austria dhe së fundit edhe Spanja, janë 3 shtetet ku emigrantët shqiptarë ndihen më të lumtur. Pasi kemi dëgjuar nga emigrantët e Greqisë hallet e krizës shumëvjeçare, si dhe na është lodhur koka me soggiorno-n dhe problemet e shtetësisë së brezit të dytë në Itali.
Po ashtu jemi trembur me historitë (-40 gradë) në vendet nordike (të ftohta në sjellje, siç janë edhe në temperaturë), apo rrjetet mafioze të Belgjikës, me martesat e palumtura për dokumente, ose rreshtimin e fëmijëve për asistencë sociale në Angli.
Po ashtu jemi lodhur edhe me endjet e gjata në kampet e Gjermanisë, pasi kemi buzëqeshur me “arrogancën” e emigrantëve të SHBA-ve, që sa herë vijnë na tregojnë se çfarë s’po bëjmë ne mirë (dhe pastaj ikin dhe na braktisin në gabimet tona), apo me përmendjen çdo dy fjalë të “bill-eve që kanë për të paguar”.
Por vetëm nga tri shtete (ndër shtetet që kanë përqindjen më të madhe të emigrantëve shqiptarë), nuk kishim dëgjuar asnjë ankesë. Përkundrazi, shqiptarët që jetojnë aty kanë një qetësi të admirueshme dhe të vetmit që realisht na zilepsin për jetën e tyre janë shqiptarët në Kanada.
Ah, Kanadaja! E njohur si “motra e çuditshme e Amerikës”. Kanadaja është aq e butë dhe tolerante, saqë nuk e vret mendjen për shakatë amerikane apo franceze ndaj stilit të jetesës, apo dialektit të tyre (të tmerrshëm) në frëngjisht e anglisht.
Por ama kur Trump vjen në pushtet, gjysma e atyre që janë tallur historikisht me kanadezët, duan të emigrojnë pikërisht aty.
Edhe pse larg dhe me mall për vendlindjen (kush nuk e ka), shqiptarët e Kanadasë janë ndier të respektuar që në aplikimin e parë. Kanadaja u ka hapur dyert emigrantëve profesionistë dhe madje në Toronto, gjen një numër të madh intelektualësh (kryesisht në inxhinieri), aq sa për shumë kohë qyteti njihej ndryshe si “Tirana Toën”.
Studentë shqiptarë në Kanada
Sistemi shëndetësor është falas, shkollat janë shumë të lira, punën e gjen sipas meritës (dhe shqiptarëve s’ua kemi frikën në shkollë) dhe askush nuk të paragjykon. Me aq natyrë të bukur sa ka Kanadaja, shqiptarët atje shijojnë më shumë se kudo piknikët, ecjet në mal apo pyll dhe hobi të tjera jashtë orarit të punës, që në vende të Evropës as nuk kanë kohë e nerva t’u përkushtohen.
Shqiptarët që vijnë nga Kanadaja kanë një butësi që rrallë e ndesh në Shqipëri. Atyre u janë zhdukur rrudhat që ne na krijohen nga skepticizmi dhe shfryrjet, të cilat nisin që kur zgjohemi në mëngjes nga trapani i komshiut, e deri kur flemë me lajme protestash e sharjesh në kor.
Ata janë të sjellshëm, flasin me zë të ulët dhe gjithmonë mikpritës kur u shkon për vizitë. Pse të mos jenë? Fundja një shtëpi normale në Kanada, pas disa vitesh punë, është sa një vilë normale në lagjet e pasura shqiptare.
Shqiptarët në Spanjë
Spanja ka rreth 5 milionë të huaj dhe ndryshe nga shtete të tjera të Evropës, është një vend ideal për të punuar dhe për të krijuar familje. Po pse?
E para: Spanja nuk ka pasur kurrë asnjë lëvizje nacionaliste kundër emigracionit. Spanjollët, të cilët vetë e kanë vuajtur emigracionin gjatë regjimit autoritar të Franco-s, i mirëkuptojnë të gjithë ata që kërkojnë punë diku gjetkë, për t’u shpëtuar vështirësive ekonomike në vendin mëmë.
E dyta: Duke vuajtur plakjen e popullsisë, Spanja u jep automatikisht kombësinë fëmijëve të emigrantëve, të cilët kanë lindur në Spanjë.
E treta: Spanja ka më të mirën e dy botëve: mesdhetare dhe evropiane, që përbën edhe vendin ideal për shqiptarët.
Një vend që ka pasur “Siesta” (koha e gjumit të drekës) me ligj, si mund të mos jetë një vend fantastik për t’u jetuar? Edhe pse tashmë po diskutohet heqja e Siestës, për një kohë të gjatë, të shtyrë nga temperaturat e larta, spanjollët merrnin 2-3 orë pushim në drekë, për të vijuar të freskët punën deri në orën 19:00-20:00 të darkës. Ushqimi, natyra, kultura dhe fakti që spanjollët janë aq entuziastë për jetën, janë arsye për të jetuar mirë edhe, nëse nuk ke 3 shtëpi e 2 kolibe si shqiptarët në Amerikë.
Shqiptarët në Austri
Si mund të jetë “i keq” vendi ku ka lindur e ka krijuar Mozart-i, Haydn-i apo Strauss-i, që ka nxjerrë disa nga arkitektët dhe mjekët më të mirë në botë? Çfarë të këqijash mund të presësh nga Austria, ku universitetet janë të klasit ndërkombëtar, por studentët jashtë BE-së paguajnë 1000 euro për semestër (më lirë se tek privatët tanë).
Austria ka qenë gjithmonë e mirë me emigrantët. Që prej vitit 2011, shteti në kufi me Gjermaninë ka nxjerrë një leje të quajtur “Karta e kuqe-e bardhë-e kuqe”, që lejon të huajt jashtë BE-së të punojnë e të jetojnë në Austri.
Pastaj Vjena, është vetëm dy orë larg Tiranës me avion dhe “Austrian Airlines” nuk na ka zhgënjyer asnjëherë gjatë këtyre viteve me shërbimin e saj.
Edhe pse gjatë viteve ka pasur përpjekje të nacionalistëve ekstremistë të djathtë për të marrë pushtetin, austriakët nuk ia kanë dhënë kurrë. Përkundrazi, shteti ka qenë një ndër më mikpritësit ndaj refugjatëve.
Në Vjenë, por edhe në qytete të tjera, gjeni me mijëra serbë, kroatë, shqiptarë të Kosovës që u sistemuan atje pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe në 2015-n, Austria nuk u tremb si vende të tjera evropiane, por i hapi dyert për refugjatët nga vendet myslimane.
Për austriakët, prejardhja dhe besimi fetar nuk ka qenë asnjëherë problem. Madje Vjena ka qenë prej vitesh një qytet shumë kulturor dhe qendër për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe dialogun ndërfetar.
/Priza.al/