Kandidati në zgjedhje i dënuar më parë në Zvicër? Reagon Prokuroria e Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se ka nisur verifikimin e thelluar për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Shijak, Rezeart Tusha. Partia Socialiste kërkoi për këtë të fundit, çrregjistrimin në KQZ për shkak të një dënimi në Zvicër.

Prokuroria e Përgjithshme deklaron se informacioni i kërkuar përmes ministrisë së Drejtësisë është refuzuar të jepet nga autoritetet zvicerane, për shkak se nuk është kërkuar në kuadër të hetimit penal ndaj tij.

Tusha dyshohet se është ndaluar në Zvicër në vitin 1997 me rreth 42 gram heroinë dhe pasi është dëbuar, i është ndaluar hyrja për pesë vite.

Por ky i fundit i mohoi sot akuzat, teksa gjatë një deklarate për media tha se e vetmja shkelje e tij është ajo e kalimit të afateve të lejes së qëndrimit.

Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme:

Në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesës së ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është regjistruar një proces verifikimi i thelluar për subjektin e vetëdeklaruar Rezart Xhelal Tusha me nr. 49, viti 2021, bazuar në ligjin nr. 238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se organet gjyqësore zvicerane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjellë juridike, për shkak se informacioni nuk është kërkuar në kuadër të një procesi penal ndaj subjektit në fjalë.

Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi, Sektori i Dekriminalizimit ka vijuar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë të subjektit të vetëdeklaruar. Pas përfundimit të tyre, rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ-së.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *