Akademia e Shkencave i është përgjigjur, akademikut Artan Fuga pasi ky i fundit shpalli kandidaturën, kundër Skënder Gjinushin.
Në një sqarim të gjatë në Facebook, Akademia e Shkencave deklaroi se një propozim i tij për lobimet jashtë-institucionale është dhunë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH.
Reagimi i Plotë:
Në respektim të etikës akademike dhe të opinionit publik, ndihemi të detyruar të distancohemi e të përgënjeshtrojmë gjithçka thuhet nga një anëtar i Asamblesë në adresë të saj e veçanërisht të deputetëve të nderuar, vetëm për faktin se ata kanë mbështetur e mbështesin reformimin e Akademisë nëpërmjet ligjit të ri dhe jo përmes deklarimeve me sharje, fyerje, denigrime e të pavërteta.
Ligji i ri është produkt i vetë Asamblesë së Akademisë së Shkencave (vetëm me një votë kundër), i hartuar nëpërmjet një procesi publik mbi njëvjeçar, në bashkëpunim me institucione prestigjioze si ALLEA (All European Academies) e Akademia “Leopoldina” e Gjermanisë dhe e miratuar nga Kuvendi në sajë të kontributit të deputetëve, shumicës së tyre, të cilët e votuan me bindjen e plotë se ky ligj do të ishte baza e ndryshimit të shumëpritur, dhe arritjet e gjithanshme, në këto 3 vjet, të vlerësuara nga tërë institucionet bashkëpunuese me Akademinë e Shkencave, e dëshmojnë këtë pritshmëri.
Me këtë qëndrim Kuvendi ndali platformën e propozuar në rrugë private, nëpërmjet lobimeve jashtë-institucionale nga anëtari në fjalë, e cila, të vetmen “risi” kishte privimin nga e drejta e votës e akademikëve mbi 68 vjeç. Gjithkush e kupton se një propozim i tillë është dhunë e vërtetë dhe cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së ASHSH. Efektet e një mase të tillë për interesa të qarta politike u provuan më 2007, e këtë model të z. Fuga Perëndimi e ka dënuar si të paprecedent, me akte të veçanta të ALLEA-s, dhe Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si antikushtetues.
Në rast se deputetët do t’i bindeshin lobimit për platformën, sot z. Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç), të vënë nga ai për të tjerët 4 vjet më parë.
Ligji i ri e Statuti i dalë në zbatim të tij garanton kandidimin e lirë të çdo anëtari të Asamblesë dhe zgjedhjen e akademikëve të rinj e të organeve drejtuese prej vetë Asamblesë e jo prej komisioneve qeveritare, siç do të impononte “modeli” i platformës. Për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk ka pasur në asnjë rast ankesë për shkelje procedure, deformim vote a moslejim kandidimi, përveç virtualisht nga anëtari i vetëm që s’merr pjesë në votim.
Sa u përket mandateve të anëtarëve të Kryesisë, si ligji i ri, dhe ai i mëparshëm e amendamentet që po shqyrtohen, kanë pasur e kanë të drejtën dhe kufizimin për dy mandate e jo më shumë për të njëjtin funksion.
Kryesia e Akademisë së Shkencave
Tiranë, 28 shkurt 2023