Sherri mes pronarit të një lokali dhe një shtetasi tjetër ka agravuar deri në ‘nxjerrjen’ e armëve. 49-vjeçari me inicialet J.P. ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë pronarin e lokalit në të cilin ndodhi edhe konflikti. Blutë e Korçës kanë mundur të arrestojnë autorin dhe të sekuestrojnë armën e zjarrit. 49-vjeçari rezulton të ketë precedent të mëparshëm penal.
Njoftimi i policisë:
Kanosi me armë zjarri, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 49-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 15, Korçë, në një lokal, një shtetas kishte kanosur me armë zjarri pronarin e lokalit, gjatë një konflikti midis tyre, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
J.P., 49 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri një 50-vjeçar, në lokalin e këtij të fundit. Në vijim të veprimeve për këtë rast, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e 49-vjeçarit J. P., u gjetën një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.