Një sasi nafte kontrabandë është sekuestruar në Korçë.
Mësohet se rreth 260 litra naftë e ndarë në 13 bidona plastikë janë kapur brenda një automjeti tip ‘Mistrubish’.
Sakaq në pranga ka rënë dhe shtetasi me iniciale V. D., i cili akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Goditet një rast i kontrabandës me mallra.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës me mallra, kanë goditur 1 tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. D., banues në fshatin Goricë e Vogël, Pustec, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit V. D., në fshatin Goricë e Vogël, u gjetën dhe u sekuestruan 260 litra naftë, e dyshuar e kontrabanduar, e ndarë në 13 bidona plastikë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në mjetin e tij tip “Mitsubishi”, në pjesën e poshtme të karrocerisë, u konstatua një depozitë e modifikuar, brenda së cilës kishte sasi shtesë karburanti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.