Kapen 3 çanta me 127 mijë euro në kufi/ Nën hetim dy rumunë e një shqiptar

Policia e Shtetit ka goditur tre raste të mosdeklarimit të të hollave në kufij, duke sekuestruar shumën prej 127.500 euro dhe dy radio si ato të policisë.

Gjatë kontrolleve intensive në pikat e kontrollit të kalimit kufitar, përkatësisht në Kapshticë, Morinë e Muriqan, uniformat blu kanë konstatuar shkeljet, duke proceduar penalisht 2 shtetas të huaj dhe 1 shtetas shqiptar, të cilët nuk kanë deklaruar shumat monetare.

Njoftimi i plotë:

Si rezultat i kontrolleve, nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe strukturat hetimore vendore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, janë goditur 3 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Në Kapshticë, Morinë dhe Muriqan janë sekuestruar 127.500 euro dhe 2 radio si ato të Policisë.

Procedohen penalisht 2 shtetas të huaj dhe 1 shtetas shqiptar, që nuk i deklaruan shumat monetare në kufi.

Në vijim të kontrolleve të përbashkëta të Policisë Kufitare me strukturat hetimore vendore dhe ato doganore, bazuar në informacionet e marra në analizën e riskut u bë e mundur që:

Në Morinë të sekuestrohen 53.600 euro, në hyrje të RSH-së, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin D. D, 35 vjeç, banues në Rumani;

Në Muriqan të sekuestrohen 40.000 euro, në hyrje të RSH-së, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin C. B., 37 vjeç, banues në Rumani. Në automjetin e këtij shtetasi janë gjetur edhe 2 radio si ato që përdor Policia.

Në Kapshticë të sekuestrohen 33.900 euro, në dalje të RSH-së, të cilat u gjetën në automjetin me drejtues shtetasin K. Xh., 40 vjeç, banues në fshatin Zavalinë, Elbasan.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtoritë Vendore të Policisë Kukës, Shkodër dhe Korçë janë proceduar penalisht shtetasit D. D., C. B. dhe K. Xh., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *