Kultivimi i drogës po kthehet në një biznes familjar kohët e fundit. Babë e bir në Tiranë janë arrestuar nga polica pasi kishin kultivuar lëndë narkotike në ambientet e një banese.
Policia ka sekuestruar dhe 2 kg kanabis të cilat ishin bërë gati për shitje.
Njoftimi i Policisë
Kultivonin bimë narkotike në ambientet e banesës së tyre, vihen në pranga babë e bir.
Sekuestrohen 2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “House”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- B. Q., 52 vjeç dhe R. Q., 23 vjeç (babë e bir), për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, në Babrru, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të mbjella në vazo, si dhe 2 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi i kultivonin bimët narkotike në banesën e tyre, e përgatitnin lëndën narkotike në doza, të cilat i shisnin më pas në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.