Dy muaj pasi u shpallën në kërkim pas finalizimit të operacionit “Shpirti”, janë arrestuar dy ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas informacioneve, Hekuran Marku u arrestua në Gjermani, ndërsa Agustin Deda në Francë.
Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka dërguar dokumentacionin e nevojshëm tek partnerët e dy vendeve dhe pritet që në ditët në vijim, Marku dhe Deda ti nënshtrohen ekstradimit në Shqipëri, ku do të përballen me akuzën e trafikut të drogës.
Përse akuzohen dy ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm
Agustin Deda dhe Hekuran Marku, kanë qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016.
Përgjatë kësaj periudhe, sipas dosjes së SPAK, ata akuzohen se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu, kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se, Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për t’ua dorëzuar katër italianëve.
Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë, që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë, duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës. Janë 38 urdhër-arreste të prera, 10 prej tyre të prera më herët në operacionin “Kulmi”.
/Priza.al/