Një tjetër ngarkesë me heroinë është kapur në Kroaci.
Mediat shkruajnë se bëhet fjalë për 11 kilogramë heroinë në Kroaci përmes pikës kufitare Konavo. Mediat kroate kanë publikuar dhe pamjet ku shihet momenti i gjetjes së drogës në mjetin që kishin shqiptarët.
Në pjesën e përparme të tij, ndërmjet motorit dhe panelit të instrumenteve, u gjet një hapësirë e modifikuar në të cilën ishin fshehur 20 pako me gjithsej 11 kg heroinë dhe një sasi e vogël kokaine. Droga do tregtohej në Evropën Perëndimore. Në pranga është vënë një 24-vjeçar shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, por raportohet se ka pasur precedentë penalë.
Kjo është ngarkesa e tretë me drogë që kapet në Kroaci dhe rezulton të jetë nisur nga Shqipëria. Më 16 dhjetor në Kroaci një autobus me targa shqiptare u kap me 5.4 kg heroinë dhe 5.6 kg kokainë. Ndërsa në 10 janar u kap një tjetër makinë me targa shqiptare në Kroaci u kapën 11 kg heroinë.
Policia kroate bën me dije se në pesë vitet e fundit ka parandaluar kontrabandën e mbi gjysmë ton marihuanë, 1100 copë kërp indian, rreth 18 mijë tableta që janë në listën e drogës, 26 kilogramë heroinë, gjashtë kilogramë kokainë dhe 250 kilogramë ketaminë në Komisariatin e Policisë Kufitare Grudë.