Një shqiptar i akuzuar për disa vepra të rënda penale është arrestuar sot nga policia në Spanjë. Sipas mediave spanjolle, shqiptari i dëbuar nga Spanja përdorte tre identitete të rreme. Mbi të rëndojnë akuzat e grabitjes me dhunë duke përdorur dhe armë zjarri, falsifikimit të dokumentesve dhe sulmit ndaj punonjësve të rendit.
Në vitin 2016, Gjykata e Barcelonës vendosi masën e dëbimit nga vendi dhe ndalimin e kthimit për pesë vjet. Ai u dënua me pesë vjet burg për grabitje me dhunë, kanosje me armë zjarri dhe plagosje. Ky dënim iu zëvëndësua me dëbimin nga vendi, i cili ka hyrë në fuqi më 10 maj 2018, dhe do të skadonte në muajin maj të vitit që vjen.
I arrestuari ka përdorur identitete të rreme për të hyrë në shtetin spanjoll. Mediat vendase bëjnë me dije se shqiptari është arrestuar në lagjen ‘Sants’ të qytetit të Barcelonës.