Ai kishte nisur të “spastronte” rivalët e grupit të të atit, të cilët në vitin 1998 e kishin lënë pa baba. E kishte nisur bujshëm karjerën e hakmarrjes, sa që në Lushnjë i kishin vënë edhe epitete dhe nofka të ndryshme, ku më e përdorura ishte “i pakapshmi”.
Por duket se pikërisht kjo nofkë e “mori mësysh”, duke bërë që të binte krejt rastësisht në duart e policisë.
Deri në prill të 2020-s, kur vendi ishte në karantinë dhe izolim të plotë, Orges Bilbili, ja kishte dalë mbanë që të shmangte të gjitha përpjekjet e policisë për ta prangosur dhe vënë përpara drejtësisë për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në qytetin e Lushnjës në 2017-n.
Por, në 10 prill të 2020, Bilbili përfundoi në prangat e një patrulle “Shqiponja” krejtë rastësisht në zonën e njohur si “Xhamlliku” në Tiranë. Në këtë zonë, patrullat e policisë po siguronin zbatimin e masës së karantinës për të gjithë qytetarët, që ishte në fuqi në ato ditë.
Në këtë kuadër, në Tiranë, në rrugën “Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, pa e ditur se kush ishte i ka kërkuar Orgest Bilbilit, lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.
Shtetasi Orgest Bilbili, në atë kohë 30 vjeç e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.
Sipas deklaratës së policisë, efektivi “Shqiponja” ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.
Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën për të qëlluar punonjësin e Policisë.
Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë. Në këtë ngjarje, u plagos jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja një shtetase 30-vjeçare, kalimtare e rastit.
Pas verifikimeve, policia tha se shtetasi i ndaluar ishte Orgest Bilbili, person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.
/Priza.al/