Mjeku kardiolog Mirald Gina ishte në një lidhje direkte në emisionin “Zona Gol” në SuperSport, ku dha mendimin e tij të specializuar për ngjarjen e rëndë që tronditi futbollin shqiptar, atakun kardiak që i mori jetën sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena.
Çfarë ndodh, që po shohim shpesh kaq shumë raste ataku kardiak në futboll?
Vërtetë një pasdite e trishtë sot. Është një fatkeqësi e madhe, pasi sportistët janë një kategori e privilegjuar në këtë drejtim, duke qenë se që në moshë të re kryejnë teste të thelluara mjekësore, për shkak të profesionit të tyre. Në këtë mënyrë ata janë në gjendje të diagnostikohen në kohën e duhur.
A mund të parandalohen këto ngjarje?
Në pjesën më të madhe të rasteve, janë defekte të lindura të zemrës, që më pas përfundojnë në aritmi malinje, që të marrin edhe jetën. Mund të diagnostikohen kur kapen në kohën e duhur dhe mund të parandalohen ngjarje të tilla, me implementimin e pajisjeve moderne si aparati që përdor edhe Christian Eriksen, i cili vijon të luajë futboll profesionist.
Si funksionon rregullorja për aparatin, pasi në disa vende nuk lejohet as me aparat?
Federata të ndryshme kanë rregulla të ndryshe, pasi në rastin e Eriksen nuk lejohej në Itali, por nuk vlente e njëjta gjë në Angli. Por në rastin e sotëm, lojtari nuk duhej lejuar, pasi i ishte rekomandur një pajisje e tillë dhe nuk e mbante. Ai duhej ta mbante aparatin edhe nëse nuk do të merrej me sport. Ka pasur arsye që i është rekomanduar, pasi sëmundje të tilla e kanë të domosdoshëm.
Një aparat i tillë nuk u sugjerohet vetëm sportistëve. Ai ka ardhur i diagnostikuar në Shqipëri dhe problemi i tij ishte i ditur. Unë nuk kam informacion për rregullat që aplikon FSHF-ja, por ky futbollist nuk mund të luante në shumë prej ligave. Vendimi për heqjen e aparatit mund të ketë qenë edhe zgjedhje personale e futbollistit.