Prokurorja Miranda Bushi e Prokurorisë së Tiranës u përball të martën më 23 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti mbi të ardhurat e përfituara nga ajo dhe bashkëshorti në emigracion, përpara se të rifillonte ushtrimin e funksionit – likujditete që sipas saj kanë shërbyer si burim për të blerë disa pasuri të paluajtshme, për të cilat Komisioni konstatoi pamundësi financiare. Bushi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse për profesionalizmin.
Procesi i vetingut për prokuroren Miranda Bushi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.
Miranda Bushi ka punuar si prokurore gjatë periudhës 1992-1998. Më pas ajo i është bashkuar bashkëshortit në emigrim në Itali dhe në vitin 2004 ka filluar punë si kancelare e ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë që e ka ushtruar deri në 2008-ën. Gjatë viteve 2008-2011 ka mbajtur pozicionin e drejtores së kabinetit të Prokurorit Përgjithshëm dhe në qershor të 2011-ës u emërua sërish si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, ku dhe e ushtron aktualisht funksionin.
Gjatë seancës dëgjimore, parashtrimet e Bushit lidhur me barrat e provës, u paraqitën nga përfaqësuesja ligjore e zgjedhur prej saj, avokatja Antoneta Sevdari.
Burimet nga emigracioni
Relatori Olsi Komici renditi disa pasuri, për të cilat subjekti kishte deklaruar si burim krijimi, ndër të tjera, edhe të ardhurat nga puna në emigracion gjatë periudhës 1997-2004.
Për blerjen e një apartamenti në Orikum të Vlorës në vitin 2009 kundrejt çmimit 35 mijë euro, Bushi ka deklaruar të ardhurat e saj nga puna si prokurore gjatë viteve 1992-1998; të ardhurat e bashkëshortit nga mësimdhënia dhe në emigracion gjatë viteve 1997-2004; të ardhurat nga një aktivitet bar-restorant në Burrel në masën 2.4 milionë lekë; si dhe një kredi 16 mijë euro.
Po ashtu, subjekti ka shënuar në deklarimin fillimit të detyrës në vitin 2008 se ka zotëruar likujditete në shumën 100 mijë euro, me burim kursimet familjare gjatë periudhës 1992-2008. Po ashtu, ka deklaruar kursime gjatë vitit 2008 në masën 10 mijë euro.
Komisioni konstaton se nga analiza për blerjen e apartamentit në Orikum, është konstatuar se 23 mijë euro u përkasin kursimeve para rifillimit të detyrës, për të cilat nuk është vërtetuar mundësia e krijimit në masën 100 mijë euro, pasi nuk janë provuar me dokumentacion ligjor të ardhurat nga emigracioni, sipas kërkesave të legjislacionit të vetingut të magjistratëve.
Komici vërejti se është vërtetuar me dokumentacion vetëm krijimi i kursimeve në 2008-ën në shumën rreth 9400 euro, që janë konsideruar të pamjaftueshme për të justifikuar blerjen e apartamentit në Orikum, duke rezultuar me balancë negative në masën 25 mijë e 655 euro.
Konstatimi i Komisionit për pamundësinë e vërtetimit me dokumentacion ligjor të të ardhurave nga emigracioni ka sjellë bilanc negativ edhe për krijimin e një depozite 5 milionë lekë në vitin 2015. Komici shpjegoi se si burim për këtë depozitë është deklaruar konvertimi i një depozite 52 mijë USD e çelur në vitin 2008, me burim cashin 100 mijë euro të krijuar në vite e të deklaruar para fillimit të detyrës, ku si burim janë shënuar edhe të ardhurat nga emigracioni dhe nga një aktivitet privat i bashkëshortit i filluar në vitin 2002. Relatori Komici kontatoi se rezulton balancë negative në shumën 188 mijë lekë për krijimin e depozitës në vitin 2015, pasi nuk është vërtetuar burimi i depozitës në dollarë amerikanë, e çelur në 2008-ën.
Për shkak të pamundësisë së konstatuar në krijimin e gjendjes cash 100 mijë euro, KPK vlerën pamundësi dhe për blerjen e një automjeti në vitin 2008, për çmimin 8000 euro, pasuri për të cilën janë deklaruar si burim, të ardhurat në vite.
Për të njëjtat arsye, Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe për një apartament me sipërfaqe 118 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2004 për vlerën 62 mijë e 540 euro. Komici vërejti se duket se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk kanë provuar me dokumentacion ligjor të ardhurat nga emigracioni për periudhën 1997-2004, të deklaruara si burim për blerjen e kësaj pasurie.
Mosdokumentimi i të ardhurave nga emigracioni, kanë sjellë të njëjtin rezultat negativ në analizën e blerjes në vitin 2001 të një lokali në Burrel, me sipërfaqe 390 m2 dhe truall 1214 m2, kundrejt vlerës 7.3 milionë lekë. Komici konstatoi mospërputhje për burimet e deklaruara se kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, pasi në deklaratën para fillimit të detyrës janë shënuar vetëm të ardhurat nga emigracioni, ndërsa në deklaratën “veting”, figurojnë edhe të ardhurat nga puna gjatë viteve 1986-1997.
Sipas Komisionit, nga analiza financiare për periudhën 1986-1997, ka rezultuar mundësi kursimi në masën 421 mijë lekë.
Komisioni konstatoi deklarim të pasaktë lidhur me të ardhurat e siguruara nga lokali, pasi në deklaratën “veting” është shënuar se është përfituar 2.4 milionë lekë gjatë viteve 2002-2004, ndërsa në pyetësor është deklaruar se është fituar shuma 1 milion lekë.
Ky aktivitet i është lënë në përdorim në vitin 2005 vëllait të subjektit të rivlerësimit. Komici konstatoi se prej hetimit të deritanishëm, duket se nuk është provuar pagesa e tatimit në burim nga ytë ardhurat e përfituara nga lënia në përdorim e lokalit.
Po ashtu, u evidentua se egzistojnë dy kontrata me të njëjtat ekstremitete dhe të njëjtën datë, por jo në përmbajtje, pasi pasqyrohen të dhëna të ndryshme lidhur me të ardhurat e përfituara nga lënia në përdorim.
Ndërkohë, ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur burime financiare të mjaftueshme për blerjen e një automjeti të llojit Audi në vitin 2016 për vlerën 38 mijë e 300 euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat e tyre në vite dhe nga puna e vajzës në një bankë në Londër.
Komici evidentoi se prej analizës së Komisionit bazuar në dokumentet e depozituara nga subjekti, ka rezultuar se shpenzimet e shkollimit të vajzës në Angli kanë qenë në vlerë më të madhe se ato të deklaruara prej saj.
Sipas relatorit, nga analiza financiare paraprake e kryer në KPK për periudhën 1992-2016, ka rezultuar një bilanc negativ gjatë ushtrimit të detyrës, në vlerën totale rreth 3.1 milion lekë.
Avokatja Antoneta Sevdari theksoi që në fillim të fjalës së saj, se pamundësia financiare rridhte nga moskonsiderimi në analizë i të ardhurave nga emigracioni, si dhe atyre të përfituara nga dhënia në përdorim e lokalit.
Ajo vërejti se subjekti kishte detajuar shkaqet e largimit të saj në emigracion, për shkak të gjendjes shëndetësore të vajzës, si dhe për të siguruar një jetë më të mirë. Sevdari theksoi se prokurorja Bushi dhe bashkëshorti i saj, profesor matematike, megjithëse ushtronin funksione që sipas saj quhen elitare, vendosën të largohen jashtë shtetit për të siguruar më shumë të ardhura, në rrugë të ligjshme.
Sevdari evidentoi se në periudhën kur Bushi dhe bashkëshorti kishin emigruar nuk egzistonte legjislacion për kontrollin e pasurisë. Ajo shtoi se subjekti ka punuar në mënyrë informale dhe ka pësuar një aksident, prej nga i është dhënë dëmshpërblim po në formë informale
Sipas Sevdrit, Bushi kishte marrë dijeni nga familjarët në vitin 2000 se ishte nxjerrë në ankand për t’u shitur një pasuri e ish-firmës piramidale Vefa në Burrel dhe kanë vendosur që të ardhurat nga emigracioni t’i investonin.
“Subjekti ka qenë kosistente në deklarimet e saj lidhur me të ardhurat nga emirgacioni dhe jo për qëllim të vetingut”, theksoi Sevdari.
Ajo sqaroi se kishin depozituar në Komision dy mandate derdhjesh në bankë të kryera nga babai i subjektit me të ardhurat e saj. Sevdari pohoi se vetëm për vitin 1998 vërtetoheshin rreth 15 mijë euro kursime, që sipas saj po të përllogariteshin të ardhurat sipas këtij trendi të mundësisë së kursimit, atëherë provohej krijimi i të ardhurave të deklaruara nga emigracioni.
“Realizimi i të ardhurave në emigracion është i vështirë dhe tregon qasjen e subjektit për të mos abuzuar me detyrën”, tha Sevdari duke ripërsëritur se subjekti kishte zgjedhur të largohej që të siguronte më shumë të ardhura vetëm me punë të ligjshme dhe jo duke përdorur funksionin e saj si prokurore.
Sevdari këmbënguli se provohet se këto të ardhura jo vetëm janë deklaruar, por dhe kanë egzistuar, pasi janë trupësuar në pasuri të paluajtshme.
“Nisur nga deklarimet konsistente të subjektit krijohet bindja se pasuritë para fillimit të detyrës janë krijuar me të ardhura kryesisht nga emigracioni”, pohoi Sevdari.
Sipas saj, ka ndarje të qartë midis të ardhurave të ligjshme dhe ligjshmërisë së të ardhurave për shkak të legjislacionit të vetingut.
Avokatja Sevdari solli në vëmendje zhvillimin e jurispudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ, që sipas saj janë shprehur se situata të tilla nuk mund të sjellin penalizim. Ajo këmbënguli se të ardhurat janë krijuar nga puna e ligjshme.
Lidhur me të ardhurat nga lokali në Burrel, Sevdari theksoi se bashkëshorti i subjektit kishte deklaruar të vërtetën, pasi edhe mund të kishte deklaruar më shumë.
Ajo sqaroi se të ardhurat në masën 2.4 milionë lekë janë të ndara në dy periudha – 1 milion lekë kur aktiviteti ka qenë në emër të bashkëshortit të subjektit dhe 1.4 milionë lekë për periudhën 2005-2007, kur ka qenë i regjistruar në emër të saj.
Sevdari shtoi se, për vitin 2008 dhe në vijim, vlera e përdorimit ishte rritur pasi biznesi ishte konsoliduar dhe familja e subjektit kishte pasur më shumë nevoja për të ardhura, për të mbuluar edhe shpenzimet e studimeve të vajzës.
Lidhur me mospërputhjet në kontrata, Sevdari sqaroi se shuma 120 mijë lekë përfaqësonte vlerën bruto. Sipas saj, noteri kishte bërë një gabim dhe është përpiluar kontatë e re përdorimi me vlerën 100 mijë lekë. Avokatja tha se ka qenë noteri që ka vendosur të njëjtat ekstremitete dhe datën në dy kontratat.
Subjekti kundërshtoi konstatimin për mospagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga dhënia në përdorim e lokalit, duke theksuar se në kontratë përcaktohej qartë se do të shlyheshin nga përdoruesi.
Sevdari pranoi se subjekti kishte pasaktësi në deklarimet e subjektit lidhur me shpenzimet e shkollimit të vajzës, por ajo sqaroi se e bija e prokurores Bushi kishte punuar dhe sikguruar të ardhura që e mbulojnë diferencën.
Avokatja kërkoi që të rishikohen shpenzimet e udhëtimit të subjektit në vitet 2005-2006, pasi kanë qenë për shkak të punës. Po ashtu,m kërkoi që të konsiderohet edhe ndryshimi të ardhurave për shkak të kursit të këmbimit.
Avokatja Sevdari deklaroi se nëse do të konsiderohen të ardhurat nga emigracioni dhe ato nga lënia në përdorim e lokalit, atëherë do të përmbyseshin balancat negative. Sipas saj, do të mbetej një pamundësi totale në masën rreth 300 mijë lekë që ishte hipotetike dhe nuk mund të sillte pasojë për subjektin.
Në fund të seancës, prokurorja Miranda Bushi u shpreh se ndihej e surprizuar dhe e prekur nga raporti i Komisionit. Ajo kërkoi që procesi i saj të vlerësohet objektivisht. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 25 maj, në orën 10:00./BIRN