Në caktimin e masave të sigurisë para gjykatës për Elda Ibron e MCA, Arben Meskutin e Final dhe 7 përmbaruesve të Zig, Fs, Flash, ADCA, dy avokatë spikatën mbi të tjerët, Artan Gjermeni dhe Shpëtim Kurti.
(Shpëtim Kurti dhe Artan Gjermni)
I pari, Artan Gjermeni, gjyqtar i Tiranës shkarkuar nga vettingu e që doli dhe si “sekser” në skandalin e para disa muajve me gjyqtaren Arnisa Këlliçi, dhe tjetri ish zëvendësprokuror i Rrethit Tiranë.
Arben Meskuti dhe Elda Ibro janë personat më të rëndësishëm të çështjes. Kjo e fundit nuk u arrit të arrestohej se ndodhet në Francë. Për shpëtimin e tyre janë marrë avokatë që kanë “akses” në sistem. Sipas informacioneve që duhet të verifikohen, një nga të arrestuarit ka një gjyqtare të sektorit penal kushëri të parë.
Olsi Ibro, i cilësuar si “truri” i skemës, i lidhur direkt me Guvernatorin Sejko, po organizon ekipin e mbrojtjes me avokatë dhe sekserë të drejtësisë që po i “mbyt” me para.
Burime të sigurta informojnë Prapaskenën se Olsi Ibro ka shpërndarë deri tani 500 000 € për të shpëtuar të arrestuarit nga burgu.
Arben Meskuti nga ana tjetër përmes familjarëve ka kërkuar të tërheqë nga BKT 1 milion € për të ndryshuar masën e arrestit me burg dhe “lehtësuar” ditët e qëndrimit atje.
Megjithëse duket se përkohësisht milionat nuk u kanë pirë ujë në Gjykatën e Tiranës, sfida e parave me “thasë” dhe drejtësisë së re vazhdon.
Guvernatori Sejko deklaroi para disa ditësh para Komisionit të Ekonomisë se Prokuroria e Përgjithshme e kishte informuar se kishte 30 çështje të pushuara kundër MCA/Final dhe vetëm dy aktive ndaj dhe nuk e kishte mbyllur MCA-në. Kur njëra prej dy çështjeve të hapura përfundoi një ditë më pas me 9 të arrestuar, mes te cilëve edhe pronarja e MCA dhe Meskutit të Final, Guvernatori Sejko nxitoi t’u hiqte licensat në mesnatë MCA-së dhe Final. Çështja tjetër e sapo hapur nga SPAK është për vetë Guvernatorin që me shumë gjasa do përfundojë me arrestimin e tij.
Duke parë ekipin mbrojtës të avokatëve që përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar, lind pyetja se kush janë ata që kanë pushuar 30 çështje për kartelin Ibro/Meskuti.
Duket se SPAK ka një front të vështirë hetimi për sa kohë e gjithë drejtësia është përlyer me bandën e mikrokredive dhe thasët me para që kanë dhënë Ibro/Meskuti.
Janë përmbarues, avokatë, noterë, prokurorë, ekspertë vlerësimi, bankierë, të gjithë bashkë krijojnë një kartel tjetër që duhet çmontuar nga SPAK, përveç atij të MCA/Final.
A do ketë fuqi ta bëjë Altin Dumani këtë?