Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi ditën e sotme ankimimin e ‘Lëvizjes Bashkë’ për regjistrimin në zgjedhjet vendore 2023. Në mbledhje, palët paraqitën argumentet e tyre, por KAS vendosi të rrëzojë ankimimin.
Pas vendimit të KAS, kreu i Lëvizja Bashkë, Qori deklaroi se do të vijojnë me mbledhjen e firmave për t’u regjistruar në këto zgjedhje si kandidat i pavarur.
“Partia Lëvizja bashkë ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës më datë 9 janar firmat e mbi 3500 qytetarëve, më 9 shkurt gjykata kishte detyrim që të merrte vendimin për njohjen e Lëvizjes Bashkë. Një vendim të tillë gjykata e ka marrë më 2 mars, duke shkelur afatet e përcaktuara nga ligji i partive. Gjithsesi më 6 mars kemi dorëzuar në KQZ dokumentacionin që sipas interpretimit tonë i përmbush kriteret për ta regjistruar partinë në këto zgjedhje. Pretendimi i KQZ është se vërtetimi që ne kemi marrë nga gjykata nuk është i formës së prerë, ndonëse në asnjë prej neneve të kodit zgjedhor apo të ligjit të partive nuk kërkohet që vendimi të jetë i formës së prerë. Nëse i referohemi nenit 9 të ligjit të partive, thuhet se partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë.
Nëse ligjvënësi do i kishte konsideruar dy shkallë të dallueshme miratimin dhe regjistrimin e një partie, atëherë do shprehej se partia do konsiderohej person juridik në datën e dytë të mëvonshme, atë të regjistrimit të saj. Meqë flitet për një datë atëherë miratimi dhe regjistrimi konsiderohen të barasvlershëm dhe në të njëjtën datë, kësisoj partia regjistrohet person juridik dhe regjistruar që nga data e miratimit, 2 mars. Neni 15, thotë vendimi i gjykatës për regjistrim ose mosregjistrimin mund të ankimohet në apel brenda 15 ditëve nga shpallja e vendimit të gjykatës. Ky nen tregon se gjykata e konsideron të regjistruar partinë, ajo mund ta çregjistrojë partinë pas një ankimimi, por deri në bërjen e ankimit dhe në bërjen enjë vendimi të ri partia konsiderohet i regjistruar. Interpretimi që KQZ i bën 64 pika 2 është i padrejtë. Duhej të ishte regjistruar nga Gjykata e Tiranës që në datën 9 shkurt. Vendimi i KQZ Na heq të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje dhe na ndëshkon për një faj që se kemi bërë ne”, tha Qori.
Qori, e ka quajtur politik vendimin e KAS për të mos e regjistruar në zgjedhje. Ai tha se vendimin do ta çojnë në Kolegj Zgjedhor.
“Pse nuk duan t’ia dinë për argumentet, për ligjin, për Kodin Zgjedhor. Çfarë e shqetëson Ramën dhe Veliajn? Ata kanë frikë nga një lëvizje politike e vërtetë, nga njerëz të organizuar dhe me idealet. Ata e dinë se sa shumë na presin qytetarët. Ne do ta ankimojmë këtë vendim në Kolegjin Zgjedhor dhe paralelisht do të vijojmë me mbledhjen e firmave. Sot në këtë ditë festë do të thyejmë rekordin e firmave të mbledhura për Lëvizjen Bashkë dhe për mua si kandidat i pavarur. Asnjë i korruptuar nuk na pengon ne. Ata që na pengojnë ne nuk kanë as minimumin e argumenteve ligjore. Ne kemi institucionet e korruptuara kundër por kemi pro ligjin dhe popullin e Shqipërisë”, u shpreh Qori.