Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve pritet të mblidhet sërish sot për të shqyrtuar ankesat e subjekteve politike për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Beratit. Partia Demokratike ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit, me argumentin se PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. PD-ja nuk kërkoi rinumërim të votave, por rivotim në këto qarqe.
LSI-ja ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Ankimimin për Gjirokastrën e ka argumentuar me faktin se sipas saj vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht Lëvizjen Socialistë për Integrim në zgjedhje.
KAS më parë ka shqyrtuar kërkesat për zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës, ku vendosi të pranojë vetëm provat që kanë dorëzuar subjektet politike teksa rrëzoi kërkesën që ajo vetë të kërkojë prova të mëtejshme në institucione shtetërore.