Nëse do të jemi edhe ne protagonistë, apo që të gjithë do ta shikojmë nga ekranet e televizorëve Kampionatin Botëror vitin e ardhshëm në Katar, kjo mbetet për t’u parë, por gjasat janë të vështira për kuqezinjtë e Reja-s.
Në konferencën e fundit për shtyp, Edy Reja, deklaroi se do të ishte i kënaqur me 4 pikë në dy ndeshjet e radhës, kundër Hungarisë dhe Polonisë. Por katër pikë nuk janë të mjaftueshme për të siguruar play-off-in.
Duket se Reja, i ka bërë gabim llogaritë, pasi shanset reale për vendin e dytë vijnë vetëm duke i fituar të dyja. Gjithçka kalon nga Budapesti. Nëse do të arrijmë një fitore në Hungari dhe të mposhtim Poloninë në shtëpi më 12 tetor, atëherë po që Shqipëria kalon në play-off.
Nëse në këto 2 ndeshje Kombëtarja arrin të marrë 4 pikë, do të shpresojë që Hungaria të marrë pikë në Poloni në ndeshjen e fundit ose kuqezinjtë të tentojmë një mrekulli në Uembli ndaj Anglisë, pasi dy ndeshjet e tjera Polonia luan me kundërshtarë të lehtë, si Andorra dhe San Marino dhe shkon sipër nesh me pikë.
Një gjë është e qartë, mjafton vetëm një humbje në dy ndeshjet e radhës, që të na nxirrte jashtë loje.
/Priza.al/