Katër të rinj shqiptarë janë arrestuar dhe dënuar me 3 vite burgim pasi u kapën në një banesë që e kishin përshtatur për rritjen e kanabisit në zonën e Neath në Uells.
Sipas mediave britanike, ata do të vuajnë vetëm gjysmën e dënimit, ndërsa pjesën tjetër do ta shlyejnë duke kryer punë në komunitet.
Të rinjtë shqiptarë u kapën në shtëpinë e barit, ku brenda saj u gjet një sasi kanabisi që kapte vlerën e 14 mijë paundëve.
Efektivët e policisë shkuan në këtë banesë, pasi ishin në kërkim të një personi, për një çështje që nuk kishte lidhje me drogën, ndërsa kur ata trokitën në derë u përgjigj shtetasi Elton Musta, ku pas komunikimit me të oficerët u futën brenda.
Në këtë moment, një tjetër shqiptar i identifikuar si Ledian Xhafa, u hodh nga dritarja e katit të dytë të shtëpisë dhe tentoi të arratisej, por u ndalua nga ana e oficerëve të policisë.
Nga kontrollet e ushtruara, efektivët gjetën disa pako me kanabis, telefona celularë dhe një shumë të konsiderueshme parash. Telefonat e sekuestruar u ekzaminuan dhe u zbulua se përmbanin foto dhe video të të të pandehurve që pozonin me shuma parash dhe bimë kanabisi, si dhe mesazhe të shkruara në gjuhën shqipe
Efektivët i dërguan në komisariat dy shqiptarët, teksa një pjesë qëndruan në shtëpi, pasi dyshonin se në këtë aktivitet kriminal kishte dhe persona të tjerë të përfshirë. Më pas, në banesë mbërritën Renato Shyti dhe Lorenc Cobo të cilët u arrestuan menjëherë. Elton Musta Ledian Xhafa dhe Lorenc Cobo, të gjithë nga Payne Street dhe Renato Shyti nga West Street, St Phillips, Bristol, ishin kapur edhe më herët për trafikim të lëndëve narkotike, por ndaj tyre nuk kishte asnjë dënim.
Avokatja mbrojtës i Shytit tha se i pandehuri erdhi në Mbretërinë e Bashkuar për të shlyer borxhet dhe pranoi se duhej të kishte ndaluar atë që po bënte kur kuptoi se aktivitetet ishin të paligjshme. Ajo tha se Shytit i vinte keq për turpin që i kishte sjellë familjes së tij dhe pas lirimit nga dënimi me burg me të cilin po përballej ai dëshiron të kthehet në Shqipëri dhe nuk ka ndërmend të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.