Ato që nisën si protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë, duket se po e zhysin Kazakistanin në një konflikt civil dhe destabilizim të përgjakshëm. Protestuesit kanë marrë në dorë disa zona të kryeqytetit, në një kohë që ushtria dhe mercenarët e ardhur nga Rusia nuk kanë kursyer plumbat ndaj protestuesve që deri tani kanë lënë dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur.
Por ndërkohë Rusia ka akuzuar Perëndimin dhe SHBA-të për nxitjen e dhunës dhe destabilizimin në Kazakistan, në një kohë që videot tregojnë avionët ushtarakë transportues, që nisin drejt Kazakistanit forca speciale.
Presidenti Tokayev kërkoi ndihmën e Rusisë për të stabilizuar situatën në Kazakistan, pas protestave që kanë përfshirë vendin. Sipas “Reuters”, parashutistët rusë tashmë kanë mbërritur në Kazakistan, si pjesë e përpjekjes për “paqe” të ndërmarrë nga CSTO, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, e përbërë nga gjashtë shtete ish-sovjetike.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), tha në një deklaratë se, detyra kryesore e forcave paqeruajtëse është mbrojtja e godinave kryesore shtetërore dhe ushtarake, si dhe të ndihmojë forcat e sigurisë të Kazakistanit.
Por sot dhjetëra ushtarë hynë në sheshin kryesor të Almaty këtë mëngjes, ku qindra njerëz ishin mbledhur për të protestuar kundër qeverisë për të tretën ditë radhazi, sipas korrespondentëve të “Reuters”.
Në të njëjtën kohë, agjencia ruse e lajmeve “TASS” raportoi se, ka pasur shkëmbime zjarri midis ushtrisë dhe njerëzve të armatosur në sheshin përpara bashkisë së Almatit.
“Ushtarët mbërritën në shesh, nisën një operacion pastrimi kundër rebelëve”,- sipas TASS.
Gjithashtu, Banka Kombëtare e vendit ka vendosur të pezullojë funksionimin e të gjitha institucioneve financiare. Protestat, të cilat fillimisht u nxitën nga rritja e çmimit të karburanteve, tashmë janë kthyer në një ortek kërkesash politike.
Tokayev pretendon se, trazirat janë vepër e “bandave terroriste” të nxitura nga të huajt. Presidenti ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke përfshirë një shtetrrethim natën dhe një ndalim të tubimeve masive.
/Burimi: BBC/Përshtati: Priza.al/