KE i kërkon Gjermanisë të investojë më shumë në energjinë e ripërtërishme

Gjermania duhet të investojë më shumë në burimet e energjisë së ripërtërishme dhe të largohet nga lëndët djegëse fosile, porositi Komisioni Evropian më 24 maj.

Komisioni, që është krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, këshilloi ekonominë më të madhe në Evropë që të reduktojë më tej varësinë e saj ndaj lëndëve djegëse fosile. Kjo kërkesë është në kuadër të disa rekomandimeve të politikave ekonomike, që janë pjesë e një analize më të gjerë që i është prezantuar shteteve anëtare të BE-së.

Komisioni Evropian theksoi nevojën që qeveritë e BE-së të ulin mbështetjen për amvisëritë dhe bizneset sa i përket kostove të larta të energjisë elektrike dhe të përdorin kursimet për të paguar borxhin e akumuluar që nga pandemia e koronavirusit.

“Përderisa çmimet e energjisë kanë rënë së fundmi, ne ende përballemi me shumë sfida”, tha zëvendëspresidenti i KE-së, Valdis Dombrovskis, përmes një deklarate, duke vënë në pah nivelin e lartë të inflacionit në shtetet e bllokut evropian.

Komisioni në mënyrë specifike ka këshilluar Gjermaninë që të rrisë përpjekjet për të përmirësuar efiçencën e energjisë në industri, ndërtim dhe transport. Megjithatë, Komisioni tha se vlerëson se Gjermania është në rrugën e duhur për uljen e balancave makroekonomike.

Ky trup i BE-së këshilloi Gjermaninë që të ndjekë politika “të matura” për shpenzimet dhe taksat. KE po ashtu paralajmëroi se rregullat për borxhin në BE, që u pezulluan gjatë pandemisë, do të hyjnë sërish në fuqi më 2024.

“Gjermania duhet të marrë parasysh këtë fakt” kur të bëjë shpenzimet e buxhetit kombëtar më 2023 dhe kur të hartojë planet për shpenzimet më 2024, u tha në rekomandimet e Komisionit Evropian./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *