Komisioni Evropian e ka përshëndetur propozimin francez për kornizën negocuese për Maqedoninë e Veriut dhe vlerëson se mundëson fillim të negociatave me BE-në.
“E përshëndesim zhvillimin e situatës lidhur me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas propozimeve franceze dhe falë punës së kryesimit francez, i cili e ka përfunduar misionin e vet javën e kaluar, kemi bërë përparim të madh për këtë çështje”, deklaroi Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarë në Bruksel.
KE-ja, shtoi ajo, u informua për protestat kundër propozimit, të cilat janë mbajtur këtë fundjavë në Shkup, si dhe për qëndrimin e opozitës, e cila vlerëson se propozimi nuk është mjaftë i mirë.
“Prej afër i ndjekim ngjarjet në Maqedoninë e Veriut, tani është koha për vendime me përgjegjësi, të cilat do të mundësojnë të shkohet përpara në procesin. Për neve tani është koha të përparohet me procesin negocues, propozimi e reviduar francez pikërisht këtë e mundëson”, deklaroi zëdhënësja Ana Pisonero.
Ajo shtoi se Komisioni “u bën thirrje të gjitha partive politike të veprojnë në mënyrë konstruktive në emër të interesave të qytetarëve, të cilët kohë të gjatë presin për rrugën drejt BE-së”.
“Propozimi i kryesisë franceze i merr parasysh interesat dhe preokupimet të gjithëve”, tha Pisonero.