I quajnë “autostrada” nisur nga cilësia e mirë e asfaltit dhe korsitë e ndara nga autobandi, por Shqipëria në fakt nuk ka asnjë rrugë në cilësinë e autostradës.
Madje edhe ajo që është me pagesë në drejtim të Kosovës, është një superstradë që nuk i përafrohet aspak cilësisë dhe standardeve të sigurisë të simotrës në pjesën tjetër të kufirit shqiptar.
Por rrugët dhe super-rrugët interurbane në Shqipëri janë aq të pasigurta sa që janë larë të gjitha me gjak dhe janë edhe vend-vrasja më e madhe e shqiptarëve në këto 30 vite.
Një tjetër rast që vërteton se ne nuk kemi asnjë autostradë por vetëm rrugë dhe super-rrugë që bëjnë viktima pa fund, është edhe ai i mëngjesit të sotëm në aksin Lushnjë-Fier.
Një precedent i rrezikshëm ndodhi sot aty por që për fat të mirë u mbyll pa asnjë viktimë.
Një kec u fut sot në mes të superstradës Lushnjë -Fier, duke i prerë rrugën një mjeti tip “Ford”, duke bërë që drejtuesi i automjetit të frenonte dhe të ndërronte korsi, duke përplasur një tjetër makinë.
Si pasojë, makina “Toyota Corola”, me të cilën po udhëtonte një familje me 5 anëtarë, ka dalë nga rruga. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar, edhe pse makina e tyre është shkatërruar plotësisht.
Në momentin kur Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit tip “Ford” ka deklaruar se, i kishte dalë përpara një kec dhe për të ruajtur kafshën, kishte bërë manovrën, duke rrezikuar në fakt të shkaktonte një tragjedi me njerëz.
Pasi kanë marrë deklarimet e drejtuesve të mjeteve, Policia dhe grupi hetimor si gjithmonë kanë zhvilluar punën për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa për shkak të tij është krijuar trafik në superstradë, ku vargu i automjeteve ka shkuar deri në 2 km.
Por e rëndësishme është që keci arriti të shpëtojë pa asnjë gërvishtje nga e gjithë kjo rrëmujë… edhe pse bariu “do therur”!
/Priza.al/