Ish-banorja e ‘BBV’ Kejvina Kthella është rikthyer në rrjetet sociale me një njoftim të gjatë për ndjekësit e saj. Ajo ka folur dhe sqaruar eksperiencën e saj në “Big Brother Vip”, për të cilën shkruan se ishte një vendim i gabuar i marrë nga ajo.
Kejvina ndër të tjera, shkruan se është manipuluar dhe se eksperienca e saj e ka mësuar të dallojë miqtë nga “pseudomiqtë.” Ajo shkruan se:
“Sa herë më duhet të flas për veten, e bëj gjithmonë me autoironi dhe kurrë asnjëherë me pompozitet dhe me mendimin e të qenit një njeri i rëndësishëm. Nuk është e rëndësishme për mua fama, sesa njerëzorja, nuk është i rëndësishëm viraliteti i një videoje, sesa një veprim mirësie i bërë edhe pa e ditur kush, po duke goditur në zemrat e atyre që më kuptojnë, mirëkuptojnë dhe këto ditë kanë qenë të shumtë. Jo që nga dalja ime nga “BBV”, por pas furtunës dhe stuhisë që mu desh të përballoj. Por dua ta nis nga fillimi, këtë sqarim për një temë që do të më shoqërojë gjatë në memorien time dhe në atë të të gjithë shqiptarëve. Kur mora ftesën për t’u bërë pjesë e shtëpisë më të famshme dhe më të komentuar në Shqipëri isha entuziaste. Entuziaste dhe mirënjohëse për mundësinë që mu dha, që t’i tregoja njerëzve që do të më ndiqni nga shtëpia 24 orë në 24, Kejvinën e vërtetë. Atë vajzën e çiltër, me batutën gati, buzëqeshjen e madhe dhe fjalën e mirë për këdo. Kejvinën e shakave, atë të maskave të fytyrës, po edhe atë të kuzhinës, të enëve e të punëve të përditshme. Ajo që doja të tregoja dhe e tregova deri diku në fillim, është njeriu solar që unë jam. Por rrugëtimi në “BBV” nuk janë vetëm batutat, të qeshurat e lojërat. Aty brenda ka mijëra emocione, ka më shumë lot sesa shfaqen e me shumë energji negative sesa duken në ekranin e vogël të televizorit në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve. E gjatë kohës që Kejvina, nga “Manatia” shoqja e lojërave të Luizit, shndërrohej në “Përbindëshin e dhunshëm” te unë kaluan disa faza, situata të sikletshme të cilat më mbushën, më frynë, më ndikuan dhe më sollën në reagimin e tepruar dhe aspak të hijshëm, për të cilin kam kërkuar falje dhe do kërkoj falje, pasi unë nuk jam rritur në këtë mënyrë. Familja ime është një familje që dashurinë e ka shtyllën bazë të jetës, që fjalën e mirë, përqafimin dhe ndihmën e tjetrit e ka vlerë dhe jo detyrë. Por, Kejvina, ajo e jetës së përditshme, ka edhe nerva, reagon me zë të lartë kundër padrejtësive, e ngre zërin dhe nuk pranon të bëhet palë me asnjë gjë që ajo nuk e konsideron të drejtë. Kejvina e “BBV”, ra pre e një manipulimi, të turpshëm, por unë nuk jam këtu për t’u viktimizuar. Jam për të treguar se si ndjehem dhe se si përshkallëzojë situata. “Big Brother VIP” nuk është formati i lojës që më përshtatet mua. E kam kuptuar me vonesë ndoshta, por kam qenë ende brenda në shtëpi kur kam kërkuar të dal. Unë duhet të dilja nga ajo shtëpi, sepse vendimi im për t’u futur ishte i gabuar. Por për një gjë jam mirënjohëse dhe këtë e them me plot gojën. Kjo eksperiencë më mësoi të njoh njerëzit e vërtetë, të njoh miqtë nga pseudomiqtë, si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë së “BBV” dhe të rritem. Të kuptoj që jo cdo njeri që buzëqesh, buzëqesh me zemër dhe me qëllime të pastra dhe miqtë e vërtetë janë ata që të vënë në dukje edhe gabimet. Është momenti që unë t’i kërkoj falje njeriut të vetëm që më ka dashur në atë shtëpi dhe është treguar i vërtetë me mua që ditën e parë dhe deri në të fundit. Luiz, për mua je miku i mirë i ditëve të para në shtëpi dhe jam e sigurt që të dy ne e dimë që do jemi njësoj edhe kur të dalësh jashtë. Shoqëria ime nisi përpara se të niste “kryqëzata” dhe të vazhdojë edhe më mbrapa. Sepse miqtë këtë bëjnë, qeshin, qajnë, bëjnë batuta, shpesh herë bëjnë edhe gabime, por me rëndësi është që t’i kuptojnë dhe të reflektojnë. Dhe jam e sigurt që ne të dy do jemi gjithmonë miq. E pres në Manati, për drekën e famshme. Ndërkohë, ndjej si detyrim moral t’i kërkoj falje gjithë publikut. Shumë dashuri, Kejvina”.