Nga Elona Caslli!
Këmbëngulja në përgjithësi njihet si tipar i njerëzve të fortë për të fituar të drejtën e tyre të mohuar në një situatë të caktuar.
Njerëzit mund të jenë këmbëngulës në mençurinë e tyre, sikundër mund të këmbëngulin edhe në marrëzinë e tyre.
Teksa një individ këmbëngul në mençurinë e tij, është i denjë për respekt, por teksa këmbëngul në marrëzinë e tij është i denjë veçse për mëshirë ose për gjykim kur këmbëngulja në marrëzi, bie ndesh me vendimet e institucioneve në Shqipëri dhe me vullnetin e vetë shqiptarëve.
Paradoksalisht shfaqja e ambasadores Yuri Kim pranë deputetit Alibeaj dhe teksti shoqërues i fotos së radhës, dëshmon as më pak e as më shumë veçse këmbënguljen në marrëzi të ambasadores për të dalë mbi vendimin e gjykatës lidhur me kuvendin e 11 dhjetorit.
Ambasadorja Yuri Kim duhet të kuptojë se nuk mjafton një foto dhe një tekst me 5 fjali për të zhbërë një vendim gjykate, sikundër nuk mjaftojnë as ndajfoljet “para” ose “prapa” për të dirigjuar vullnetin e anëtarësisë, vullnet i cili e dha mesazhin e qartë më 6 mars, teksa dënoi qoftë aktin e blindimit të një partie dhe dhunimin e demokratëve me hunj dhe me gaz lotsjellës dhe qoftë kërcënimin me ngrënie bari nga ana e ambasadores.
Ambasadorja Yuri Kim duhet të kuptojë se me sjelljet e saj adiplomatike që fillojnë që nga tërheqja e gomave nga deti, që nga mbledhja e plehrave për një Shqipëri të pastër, që nga mbrëmjet e vazhdueshme me kabinetin rilindas nëpër Shqipëri, që nga përdorimi i shqiptarëve si dordolecë nëpër foto, që nga shpallja e fitores së Partisë Socialiste pa mbaruar ende procesi i votimit, që nga heshtja kur Veliaj shantazhon me institucionet e drejtësisë, që nga heshtja për çështjen e inceneratorëve, po përbën një njollë në fushën e diplomacisë dhe po i përfaqëson aspak denjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo njeri i paguan vetë faturat e veprimeve të veta në jetë dhe ambasadorja nuk bën përjashtim nga ky rregull, por kur veprimet e ambasadores amerikane zhbëjnë vendimet e institucioneve të drejtësisë, çdo shqiptari i lind e drejta të reagojë kundrejt diktatit të pashembullt të një ambasadoreje që mund të ngatërrohet lehtësisht me një ministre të kabinetit rilindas.
Post Scriptum- Ambasadorja Yuri Kim duhet të kuptojë se sa më shumë këmbëngul në marrëzinë e saj, aq më shumë e kthjellon publikun për misionin e saj në Shqipëri, mision i cili nuk ka të bëjë hiç me diplomacinë e mirëfilltë dhe me përfaqësimin e duhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.