Publikimi i listës së “patronazhistëve” të Partisë Socialiste pak ditë më parë, shkaktoi reagime të forta në opinionin publik. Kreu i qeverisë Edi Rama, ka zbuluar se rrjeti i patronazhimit në PS është ngritur që kur ishte në opozitë. Në studion e emisionit “Arnautistan”, në MCN TV, kryeministri Rama tha se ai vetë është autori i këtij rrjeti. Rama shtoi se ajo që është publikuar në media, nuk është sistemi me të cilin punon PS-ja. Duke e cilësuar si gjullurdi, ai tha se është futur dora e presidentit Meta, e ish-kryeministrit Berisha e partive të tjera.
“Kam parë gjithë gjullurdinë me deklarimin e pasurisë. Ishte pasqyrë e një injorance të frikshme. Rrjeti ynë i patronazhimit është ngritur kur kemi qenë në opozitë. E kam krijuar unë para zgjedhjeve të vitit 2009.
Në këtë gjullurdi është futur dora e Ilir Metës, Saliut dhe partive përballë nesh. Ne nuk i kemi ashtu pasqyrat e patronazhimit. Nuk kemi në to kartën e identitetit. Ne kemi kode speciale të vendosura aty për arsye të sistemit tonë. Karta e identitetit e një shqiptari është bosh. Nuk ka të dhëna. Nuk më rezulton që të ketë policë patronazhistë”, tha ai.