Kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka qenë sot i pranishëm në konferencën e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA.
Në fjalimin e tij, Alibeaj tha se pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA.
“Marrëdhëniet tona janë shprehje e qartë e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Vetë PD që prej krijimit të saj është produkti më madhor i kësaj ngjizjeje ndërmjet ShBA dhe botëkuptimit dhe orientimit pro-perëndimor të shqiptarëve.
Qasja e ShBA ndaj Shqipërisë mund të përmblidhet në një togfjalësh: ndihmë dhe mbështetje. Ndihmë dhe mbështetje në çdo hap dhe sektor të rëndësishëm. Ndihmë dhe mbështetje me rezultate të prekshme. Mbështetje haptazi dhe fjalë të thëna troç në çdo situatë. Edhe pse ndonjëherë mund të jemi lënduar në moment, nga fjalët e thëna troç, kemi kuptuar që ndihma ka qenë e sinqertë.
SHBA na kanë ndihmuar, duke na qenë në krah, në sfidat tona për të kapërcyer tranzicionin, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të ndërtuar ekonominë e tregut. Çdo shqiptar është dëshmitar, dhe njëkohësisht mirënjohës, për të gjithë ndihmën që SHBA na ka dhënë ndër vite.
Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit. Ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë! Sic historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA” tha Alibeaj.