Kryeministri Edi Rama ka thënë se mbledhja e qeverisë shqiptare me qeverinë e Maqedonisë së Veriut ka qenë produktive, teksa përmendi edhe marrëveshjet e nënshkruara.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me homologun maqedonas, Rama tha se aktet e dakordësuara krijojnë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së ndërveprimit mes palëve.
Madje ai ka deklaruar se janë të vendosur për t’u martuar me BE me hir apo me pahir.
“Kemi pasur një mbledhje produktive, kemi finalizuar 21 akte të dakordësuara në një proces ndërveprimi intensiv, pjesë e punës organike të qeverive tona që janë në ndërveprim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën. Kemi dakordësuar edhe 3 nisma të propozuara nga Artan Grubi, që kanë të bëjnë me portin e thatë në Strugë, hapjen e vendkalimit të ri kufitar dhe Korridorin Tetë. Kemi rënë dakord që sa i takon projektit paraprak të portit të thatë, ta marrë përsipër qeveria shqiptare në kuadër të marrëveshjes që ka me kompaninë holandeze.
Besojmë që ne krijojmë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së volumit të ndërveprimit mes shteteve tona gjë që ka qenë edhe qëllimi parësor dhe mbetet qëllimi parësor i Ballkanit të Hapur, por edhe i Procesit të Berlinit. Takohemi në një moment sfidues për Europës, krahun perëndimor të Rusisë, pjesë e të cilit jemi dhe ne që edhe pse nuk e kemi nisur luftën në Ukrainën, vuajmë pasojat.
Sa i përket aspektit marrëdhënieve tona bilaterale, nuk kanë qenë kurrë më mirë. Nisma e Ballkanit të Hapur na ka dhënë provat në shifra, shihni importet dhe eksportet, ka një rritje që është një kapërcim. Për mua është shenjë e rëndësishme e potencialit. Jemi sot së bashku këtu për herë të parë, si vende që negociojnë anëtarësimin në BE. Pas një kohe të gjatë fati na u desh që ne të bashkoheshim në dhimbje, për dashurinë ndaj Europës dhe indiferencës së Europës ndaj nesh. Sot jemi në një fazë tjetër, aty ku vendi ynë është në familjen e Bashkuar europiane. Ky afirmim ka ardhur pas pasionit, punës, rezultateve dhe vendosmërisë tonë për t’u martuar me hir apo me pahir me të dashurën tonë, të përbashkët, Europën e Bashkuar”, tha Rama.