Në natën e tretë të Festivalit të Këngës, artistët rikthyen në skenë disa nga këngët e tyre të mëparshme. Këngëtarja Elsa Lila performoi pas 25 vitesh këngën e saj ‘Pyes Lotin’, në duet me reperin Capital T. Dueti u prit mirë nga publiku, por vetë kompozitori i këngës Valentin Veizi, sipas një reagimi në rrjetin social Facebook, nuk e ka pëlqyer. Ai shprehet se kënga e tij është trajtuar në mënyrë joprofesionale dhe “të shëmtuar”. Sipas deklaratës së tij, ai i ka kërkuar RTSH-së që ta heqë nga transmetimi. Veizi ka theksuar gjithashtu se askush nuk i ka marrë leje për ta ndryshuar atë.
Postimi i plotë:
MOS MA BENI PIS KENGEN !
Sot kam marre shume mesazhe e telefonata nga shoke e miq, dashamires e simpatizante te muzikes sime te indinjuar ne lidhje te nje varianti te kenges “Pyes Lotin” qe eshte kenduar nga Elsa Lila edhe Capital T ne naten e trete Festivali 61 i RTSHse, duke qene se skam patur mundesi te ndjek festivalin e kerkoj edhe e degjoj ne YouTube kengen, me ben pershtypje (indinjuan) dy gjera : e para nuk e di kush ka mare guximin e ka pasur kurajon te ma bej “pis” kengen time, mire qe nuk kane aftesine profesionale per te “rifreskuar” apo te sjellin ndryshe nje kenge ,por keta nuk kane as edukaten edhe as respektin te pakten te kontaktojne per te marre lejen e autorit .
se dyti :Ti (kushdo)mund te rikendosh nje kenge, por nuk ke asnje te drejte te ndryshosh e te denigrosh kengen pa lejen e autorit ,(kompozitorit). Me lini tja u them troc edhe njehere Liles edhe Capitalit, modeli i kenges qe ju sollet eshte modeli se si mund te denigrosh ,shperfytyrosh nje kenge aq te bukur si kenga “Pyes Lotin” , prandaj do ti lutem Radio televizionit Shqiptar ta heqi nga cdo lloj transmetimi kete variant te shemtuar!
Sot do të mbahet nata finale e Festivalit të 61-të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ku 21 finalistë do të performojnë duke konkuruar për çmimin e madh të festivalit. Fituesi, i cili do të zgjidhet me votat e publikut dhe jurisë, do të përfaqësojë Shqipërinë në spektaklin e “Eurovsion 2023”.