Trendi i ri i këngëtarëve shqiptar lidhur me përdorimin e dialektit e Kosovës ka tërhequr vëmëndjen. Nëse në fillim të viteve 2000 për të qenë në krye të renditjes në fetivale apo të arrije të merrje një çmim duhet të sillje tekst e mesazh që përfaqësonte një tematikë apo kauzë të ndjeshme të shoqërisë, sot nuk funksionon më kështu.
“Për një çast më ndali zemra” e Timo Fllokos, “Xhulit” e Teodor Kekos, “E duam lumturinë” e “A vritet pafajësia” të Agim Doçit, “Careless Ëhisper” e George Michael, “I Do It For You” nga Bryan Admas apo Sting e “Shape of my heart” nuk janë më në modë. Sot, nuk je fare “mainstream”, nëse nuk ke të paktën një këngë në dialektin e Kosovës.
Vetë fjala tekst rrjedh nga “tekstum” që në gjuhën shqipe përkthehet “pëlhurë fjalësh”, e cila sot duket se është harruar nga këngëtarët shqiptarë. Një ‘pëlhurë’ që kur vjen puna tek skenat shqiptare apo videoklipet që shohim, mungon. Madje, ‘sekreti’ i suksesit në muzikë është përsëritja e një fjale mbi 10 herë në një teks kënge.
Rastet janë të shumta, madje shumë herë me tekste të tilla këngëtarët shqiptarët kanë guxuar të garojnë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion.
Një prej tyre ishte dhe kënga e Elvana Gjatës “Me tana”. Tekstin e shkroi vetë Elvana, por përveç cilësimit si i dobët nga ana kuptimore, nuk i mungojnë as gabimet sintaksore, duke nisur që nga togfjalëshi kryesor që përmban kjo këngë ‘Ti kam fal ty me tana’ është shkruar gabim.
Nëse do të shkruhej “T’i kam fal ty të tana”, ose “t’i kam falë ty tanat”, do të ishte në rregull nga ana sintaksore.
Elvana nuk është e vetmja, por para tetë vitesh i këndonte dashurisë me këngën “Ku jeton dashuria ime”, ndërsa sot në çdo këngë nuk i mungon dialekti Kosovar apo ‘slang’, e thënë ndryshe, ‘gjuha e rrugës’, pa filtra, fiks ashtu siç komunikohet në rrjetet sociale, ndoshta edhe me shkurtime.
Raste të tjera ka shumë, përmendim këtu Ronela Hajatin, Encën, Xhensila Myrtezajn, Elgit Doda apo Samanta Karavella që na tregojnë se dialekti i Kosovës është kthyer në gjuhën ‘zyrtare’ të artit shqiptar.
Mjaftojnë disa fjalë në dialektin e Kosovës si ‘TKRKT’; t’i miksosh me disa të huaja, si termat spanjisht, frëngjisht e anglisht dhe ja, kënga është gati për të thyer rekord klikimesh. Madje tani edhe Flori Mumajesi ka nisur tu përshtatet kolegëve e t’i ndjekë në këto hapa.
Në fakt, jo shumë vite më parë, ndoshta 2015-2016, qytetarët e Kosovës ndiheshin inferiorë kur vinin në Shqipëri. Mosnjohja e gjuhës letrare shqipe (që është konsideruar gjithmonë toskërishtja) nga kosovarët i ka bërë ata të ndjehen inferiorë dhe në momentin që kalonin kufirin të impostoheshin për të qenë pak ‘më të rregullt’ në të folur.
Problemi kryesor kanë qenë edhe huazimet, pasi në Kosovë ka depërtuar serbishtja e gjermanishtja. Intelektuali më i madh nga Kosova ishte ‘gojëlidhur’ përpara një qytetari të Shqipërisë së Jugut, e shihte veten më pak të qytetëruar, por përzierja e trendit muzikor po sjell të kundërtën.
Në një periudhë kohe ishte ‘cool’ të folurit në gegnisht, kurse vitet e fundit, ajo ka dalë totalisht jashtë loje.
Gjuha zyrtare, e shkruar me germa latine dhe që u përvetësua në vitin 1909, ishte e bazuar në dialektin e Gegnishtes Jugore të qytetit të Elbasanit nga fillimi i shtetit të Shqipërisë deri në Luftën e dytë botërore. Deri në vitin 1968 shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi përdorën gegnishten letrare si gjuhë zyrtare.
Në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore gegërishtja letrare u mënjanua prej vitit 1945, me vendim më 1952 nga tekstet 1967 dhe de-fakto prej vitit 1972 deri sot. Gjuha e sotme zyrtare shqipe jo vetëm që bazohet në toskërisht letrare, por edhe fjalët e shprehjet qe huazohen prej gegnishtes trupëzohen në morfologjinë, fonologjinë dhe sintaksën e variantit letrar.
Më 1968 një konferencë studiuesish kosovarë, të mbledhur në Prishtinë, vendosën të përqafonin gjuhën zyrtare shqipe.
Këtë kosovarët e bënë për të theksuar kombësinë e tyre shqiptare në formë proteste kundër refuzimit të Federatës Jugosllave për t’i dhënë Kosovës statusin e Republikës. Ky vendim politik i marrë në Prishtinë në vitin 1968 sot po sfidohet nga shkrimtarë, gazetarë dhe sidomos rinia që shkruan në internet si jo frutdhënës dhe diskriminues ndaj folësve të dialektit gegë, në veçanti ndaj kosovarëve të cilët ‘tingëllojnë’ si emigrantë kur flasin gjuhën standarde shqipe.
Ndarja mes gegnishtes e toskërishtes daton prej shumë vitesh, por një diktim të thjeshtë e gjejmë dhe në filmat shqiptarë.
Gegnishtja është stigmatizuar përgjatë gjithë epokës së ish-diktatorit Enver Hoxhës. Në filmat e Kinostudios ‘Shqipëria e re’ personazhet ndaheshin sipas të folurës së tyre, dhe atij që i jepej roli ‘negativ’ fjalët që do të nxirrte nga goja, do të ishin në dialektin gegë. E kundërta ndodhte për ata që kishin rol pozitiv.
Flisnin toskërisht, e këto role zakonisht i kishin partizanët apo vajzat që përmes rolit të tyre kërkonin të jepnin mesazhe për barazinë në një shoqëri si ajo në të cilën ndodhej Shqipëria në diktaturë.
Sot, gjuha standarde shqipe e mbështetur kryesisht në variantin letrar të jugut pranohet si gjuhë e folur e kombit, gjuhë e letrave shqipe dhe e mjeteve të komunikimit masiv.
Por, hapja e kombit në këtë formë tregon se duhet rishikuar gjuha standarde, muzika e reflekton më shumë se gjithçka.
Një gjuhë letrare që mund të flitet lirshëm vetëm nga jugu apo jugperëndimi i vendit nuk përfaqëson dy të tretat e kombit, ku përfshihet Veriu i Shqipërisë, Kosova, pjesa perëndimore e Maqedonisë së Veriut dhe pjesa jugore e Serbisë dhe e Malit të Zi. Refreni që po sjell brezi i ri është se Kongresi i drejtshkrimit duhet ribërë. Duhet të kthehemi te Kongresi i Manastirit (Kongresi i Alfabetit).