Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Josep Wu ka deklaruar se komunikimi me Kinën është bërë më i vështirë. Ai gjithashtu paralajmëron se Kina po përgatitet të gjejë një ‘pretekst’ të ri për një sulm të ardhshëm në ishull. Këto deklarata vijnë pas gati një vit kërcënimesh dhe stërvitjesh ushtarake.
Joseph Wu sugjeroi gjithashtu se komunikimet mund të zvogëlohen edhe më shumë tani që Xi Jinping ka siguruar mandatin e tij të tretë, me spastrimet e jashtëzakonshme politike të muajit të kaluar të anëtarëve rivalë të partisë komuniste që ndërprenë ato pak lidhje jozyrtare të mbetura.
Në një intervistë ekskluzive me Guardian në Taipei, Wu tha se kërcënimi ushtarak kinez po “bëhej më serioz se kurrë”, me një rritje pesëfish të inkursioneve të avionëve luftarakë në zonën e mbrojtjes së Tajvanit që nga viti 2020.
Periudha më serioze e aktivitetit ushtarak kinez ishin ushtrimet e gushtit, të organizuara pasi kryetarja e Dhomës së SHBA, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin .
Zyrtarët kinezë thanë se stërvitjet, të cilat përfshinin lëshimin e raketave, ishin një taktika e bllokadës që një ditë do t’i përdornin realisht kundër Tajvanit.
Analistët vunë në dukje se shkalla e stërvitjeve sugjeronte se ato mund të ishin planifikuar prej kohësh dhe vizita e Pelosit thjesht i dha Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA) një pretekst politik.
“Dhe ne jemi mjaft të sigurt se kinezët mund të duan të përdorin një pretekst tjetër për të praktikuar sulmet e tyre të ardhshme kundër Tajvanit. Pra, ky është një kërcënim ushtarak kundër Tajvanit”, tha Wu.
Ministri tha se nuk ishin vetëm përpjekjet ushtarake të Kinës që po rriteshin, por një “kombinim presionesh”, duke përfshirë detyrimin ekonomik, sulmet kibernetike, luftën njohëse dhe ligjore dhe përpjekjet diplomatike për ta izoluar Tajvanin ndërkombtarisht.
Wu tha se Tajvani kishte mbajtur më parë disa linja komunikimi nëpërmjet biznesmenëve dhe akademikëve tajvanezë që kishin “lidhje të mira me palën kineze”.
Por që kur Xi u riemërua për një mandat të tretë në Kongresin e 20-të të Partisë, ka pasur një spastrim të madh në radhët e partisë dhe ato dyer janë mbyllur, tha Wu.