Një 80 vjeçar është arrestuar nga policia e Matit pasi kërcënoi me armë zjarri një person të identifikuar si K.K për arsye të konfliktit për shkak të pronës.
Mësohet se 80 vjeçari, Ibrahim Lika, ka qenë i dënuar më parë për vrasje.
Sakaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në lagjen ‘Pjetër Budi’ të Burrelit, u zbulua municion luftarak. Policia sekuestroi armën e zjarrit automatik, 3 krehëra me 82 fishekë dhe dy granata dore.
Njoftimi i policisë:
Mat/ Falë ndërhyrjes së Policisë parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.
Kanosi me jetë për motive pronësie një shtetas dhe mbante armë zjarri, municion luftarak e granta, vihet në pranga nga policia. I arrestuari, i dënuar më parë për vrasje. Shërbimet e Policisë sekuestruan një armë zjarri automatik, 3 krehëra me 82 fishekë dhe dy granata dore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, morën njoftim se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, shtetasi I.L., i dënuar më parë për vrasje , po konfliktohej për motive pronësie dhe po kërcënonte me jetë shtetasin K.K.
Gjithashtu Policia mori informacion se shtetasi që e kërcënonte dyshohet se mbante armë zjarri. Menjëherë shërbimet e Policisë organizuan punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe vunë në pranga shtetasin I.L., 80 vjeç, banues në Burrel ( i dënuar më parë për vrasje).
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatik, tre krehra, 82 fishek dhe dy granata që 80-vjeçari i mbante pa leje dhe kërcënonte me jetë shtetasin K.K.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.