Dhuna në familje vijon të mbetet një nga problemet më të mëdha të vendit tonë. Një ngjarje e cila mund të kishte përfunduar në tragjedi, është parandaluar nga Policia e Pukës.
Një 34-vjeçar është arrestuar, pasi posedonte një armë zjarri dhe kishte konflikte të vazhdueshme me babanë e tij.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bugjon, Fushë Arrëz, po konfliktoheshin në banesë, babë e bir dhe se ky i fundit posedonte një armë zjarri dhe rrezikonte jetën e familjarëve të tij, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në kohë reale, në banesën ku po ndodhte konflikti.
Falë ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë i mundur neutralizimi i konfliktit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë arrestuan në flagrancë shtetasin D. P., 34 vjeç, banues në fshatin Bugjon, Fushë Arrëz.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pushkë, me fishek në fole, gati për qitje dhe një sasi municioni luftarak, të cilat i dispononte 34-vjeçari i arrestuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprime të mëtejshme.