Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit, pasi ishte shpallur në kërkim për dy ngjarje. Mario Xhangolli në bashkëpunim me dy vëllezër kanë kërcënuar dy qytetarë duke i dëmtuar me sende të forta dhe automjetet e tyre.
Gjithashtu, pak ditë më parë, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec” i riu dhe dy vëllezërit kanë përplasur qëllimisht automjetin e një 39-vjeçari, duke e kërcënuar dhe goditur me sende të forta.
Në kërkim janë shpallur dy vëllezërit me iniciale B. S. dhe S. S., të cilët kanë qenë bashkëpunëtor të 30-vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për dy ngjarje të ndodhura muajt e fundit, në Pogradec.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me DVP Tiranë. Kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i cili në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë (vëllezër), kanosi 2 qytetarë dhe dëmtoi me sende të forta automjetet e tyre. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të shpallur në kërkim, falë bashkëpunimit me DVP Tiranë dhe shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Wanted”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
M.Xh., 30 vjeç, banues në Pogradec.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit B. S. dhe S. S. (vëllezër, të shpallur në kërkim), më datë 01.03.2023, kanë kanosur një 37-vjeçar, të cilit i dëmtuan edhe xhamat e automjetit. Gjithashtu më datë 18.04.2023, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, për motive të dobëta, përplasën qëllimisht, me automjetin e tyre, automjetin e një 39-vjeçari, të cilin e kanosën, i dëmtuan me sende të forta automjetin dhe më pas u larguan me shpejtësi, nga vendngjarja. Polica po vijon punën për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve, shtetasve B. S. dhe S. S., me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.