Mbi 30 të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Bëhet me dije se këto të shtëna janë dëgjuar në fshatin Bube të Komunës së Zubin Potokut, i cili ndodhet pranë pikës kufitare.
Ndërkohë, rasti është denoncuar në stacionin policor në Zubin Potok dhe zyrtarët policorë kufitarë kanë deklaruar se kur kanë qenë në fshatin Paragovë, kanë dëgjuar disa të shtëna nga një armë zjarri.
Sakaq, nuk raportohet për të plagosur apo viktima, mësohet të ketë thënë zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani. Apo nuk di as të thotë nëse ka të bëjë me ndonjë ngjarje kriminale apo nëse bëhet fjalë për ndonjë provokim në kufi për të ndezur konfliktet mes dy vendeve.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, mund të ju informojmë se në afërsi të fshatit Bube, janë dëgjuar disa të shtëna me armë. Të shtënat nuk ndërlidhen me ndonjë rast policor dhe se ende nuk dihet nëse rasti ka ndodhur në pjesën e Republikës së Kosovës apo të Serbisë”, tha ai.