Kreu i PL, Ilir Meta në një konferencë për mediat ka reaguar në lidhje me kërkesën e pedagogëve për rritje page.
Meta tha se kërkesat e tyre janë realiste, ku theksoi se Partia e Lirisë në politikën e saj ka mbështetjen ndaj arsimit.
“Si kryetar i Partisë së Lirisë, në emër të kësaj force politike po edhe si ish-kryeministër, i kërkoj qeverisë të heqë dorë nga lufta e nervave me pedagogët, studentët dhe me prindërit e tyre që janë të interesuar për një arsimim sa më cilësor të fëmijëve të tyre, por edhe me shoqërinë tonë që ndjen pasojat e mos vëmendjes ndaj arsimit. Kërkesat e pedagogëve janë shumë realiste. Ata kërkojnë që brenda dy vitesh të rriten pagat e tyre 50%. Ata kërkojnë që brenda dy viteve të arrij në nivelin e pagave të kolegëve të tyre në Kosovë sot. Është tërësisht e mundshme nëse ka vullnet, nëse ka përgjegjësi. Mbështetja ndaj arsimit është ajo që do të çojë këtë shoqëri para, do ta bëjë më demokratike”, tha ai.
Kujtojmë se ditën e sotme Sindikata e Punonjësve të Universitetit të Shqipërisë, ka bërë thirrje për protestë ditën e nesërme në orën 11, ku kanë kërkuar që pjesëmarrja të jetë pa dallime politike, por të vijnë për interesat e tyre dhe të cilësisë së arsimit.