Kërkesa e SPAK për arrestimin e Berishës, ambasadori britanik: Askush s’është imun!

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith nuk i kurseu vlerësimet për SPAK-un. Ai beson se puna më e rëndësishme që po bën prokuroria e Posaçme është se po tregon pavarësi në hetimin e politikanëve nga qeveria dhe opozita. ‘SPAK-u është një institucion i pavarur. Do të kenë mbështetjen tonë të plotë për të qenë në gjendje ta përmbushin mandatin e tyre.

Në fakt jam shumë i kënaqur, kur shoh që tani kemi parë ministra në detyrë dhe ish-ministra dhe njerëz nga opozita në hetim. Kjo tregon se në fakt cilësia e shtetit ligjor në Shqipëri po përmirësohet vërtet. Njerëzit duhet të fillojnë të kuptojnë se askush nuk mund të jetë imun ndaj ndjekjes penale dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme.”- u shpreh ambasadori britanik, duke mos lënë pa përgjigje dhe një pyetje tjetër që implikonte opozitën, e cila është në pritje të një arrestimi eventual të liderit të saj Sali Berisha, pas kërkesës së SPAK-ut për ashpërsimin e masës së sigurisë.

A dobësohet opozita nga ky akt? Ambasadori nuk komentoi politikisht për përplasjen mes Berishës dhe SPAK-ut apo aktit të pritshëm nga parlamenti, por një mesazh e dha për të gjithë: “U takon institucioneve të zbatojnë rolet e tyre dhe të sigurohen që ato të zbatohen në mënyrën e duhur dhe në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, por sigurisht, nëse ka çështje që duhen trajtuar nga individët, atëherë ata individë duhet të respektojnë ligjin dhe të ndjekin procedurat”, tha ambasadori britanik në RTSH.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *