Kërkohet dorëheqja e Albin Kurtit, Haradinaj: Po i shërben interesave të Putinit

Qeveria e konsideroi fitore, por ndryshe mendon opozita. Marrëveshja për targat me Serbinë, bëri që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të lëshojë akuza të forta në adresë të kryeministrit, Albin Kurti.

Ndërsa refuzimi i gazsjellësit amerikan e nxiti kreun e partisë opozitare që të kërkojë dorëheqjen e shefit të qeverisë.

“Kurti ka rrezikuar shtetin e Kosovës dhe ka shkelur betimin si kryeministër dhe i ka plotësuar kushtet që të jep dorëheqje, me kohë e kam vërejtur se është mashtrues dhe i rrezikshëm për vendin. I bëj thirrje të majtës atdhetare shqiptare, mos e përkrahni një të majtë anarkiste që i shërben interesave të Putinit, nuk është rastësi që është marr një vendim i tillë, qeveria më pro-ruse e Putinit i ka quajtur paratë e Bidenit ai qëllim me sjellë Rusinë në Kosovë”, u shpreh Haradinaj.

Marrëveshja për targat u kundërshtua dhe nga Partia Socialdemokrate e Kosovës. Anëtarët e partisë opozitare ndërmorën një aksion duke vendosur në automjete zyrtare të qeverisë letër ngjitëse me mbishkrime të targave që lëshon Serbia për Mitrovicën.

“Kosova po diskuton për targa e për letër ngjitëse e jo më për marrëveshjen finale. Marrëveshja për targat është në logjikën e Asociacionit, sepse kriterin e ka etnik dhe territorial. Pra, në Kosovë në bazë të etnisë kemi targa ‘KM’, të cilat vlejnë në një pjesë të territorit në veri, edhe kemi targa “RKS” për pjesën tjetër. Kjo është në logjikën e ndarjes së brendshme”, tha Zgjim Hyseni.

Ky manifestim nuk është penguar nga policia dhe në përfundim të tij, aktivistët e PSD janë shpërndarë në mënyrë të qetë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *