Zani Caushi ka mbërritur sot në Gjykatën e Korçës nën masa të rrepta sigurie. Ai është rikthyer për të tretën herë në këtë gjykatë, lidhur me kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Caushi është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, ndërkohë që kërkon të zhvendoset në një burg me siguri të zakonshme. Por, seanca është shtyrë sërish. Avokati i tij ka kërkuar shtyrje për të bërë konkluzionet përfundimtare dhe për t’u njohur me aktet e IEVP Drenovë.
Seanca e radhës pritet të mbahet në datën 30 të këtij muaji. Gjithashtu, do të bëhet saktësim në raportin e rrezikshmërisë të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve kundrejt kërkesave të të dënuarit dhe prokurorit. Më 9 prill në një tjetër seancë, Gjykata e Korçës ka rrëzuar kërkesën e tij për të përfituar lirimin me kusht.