Kreu i PD, Lulzim Basha, i ka bërë autopsinë, siç tha ai kufomës së qeverisë shqiptare, me bisturitë e partnerëve ndërkombëtarë duke cituar raporte ndërkombëtare për gjendjen ekonomike në vend. Ai tha nga foltorja e parlamentit se demokracia shqiptare ka vdekur dhe se ekzekutori i fundit dhe i vetëm është Rama.
“Të dashur bashkëqytetarë, ky episod banal nga përfaqësuesit banalë të kësaj pakice banale është vetëm një provëz e fundit e një fakti të njohur kombëtarisht dhe botërisht. Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur. Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira.
Nuk vdiq për shkaqe natyrore, paçka se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia shqiptare është vrarë. Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi, mund të drejtohet tek shumë prej nesh në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më.
Kushdo që është ngritur në këtë foltore për 3 dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli para meje (Rama).
Provë fjalimi që mbajti pas dy mandatesh, dështim, dëliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit dhe pasojat tragjike të një keqqeverisje dhe paaftësisë kronike për të menduar dhe për një çast të vetëm për mënyrën se si mund të lëshojë pushtetin e marrë paligjshëm”,- deklaroi kreu i PD.
Basha tha më tej se nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin e rëndësishëm që janë zgjedhjet ky njeri nuk do ishte sot këtu duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe atë që do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sepse do të kishte punë me drejtësinë për çfarë i ka bërë vendit me ortakët e tij.
“Nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur, për t’iu mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të lirë, askush në bilancin e tij të zi nuk do të kishte shansin të dilte më në këtë foltore, madje as të ishte në sallë duke përsëritur gënjeshtra të reja për të amnistuar krime të reja. Ai që është ulur mbrapa do thoshte që këto janë fjalë, që gjërat po shkojnë mirë, se këto që unë shpreh janë pjesë e lojës së vjetër pozitë-opozitë e me radhë.
Por a është e vërtetë kjo? A janë këto që deklaroj sot para jush, subjektivitete, produkt i verbërisë së opozitës që nxika gjithçka siç thotë ai dhe kasnecët e tij. Për t’i dhënë përfitimin e dyshimit, më lejoni t’ia bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, jo me bisturitë tona, por me ato të partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Sipas Eurostat, Shqipëria vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkuruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde.
Ky është realiteti. Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Së paku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si t’ju rrotullosh thikën në plagën e hapur”, deklaroi Basha.
Ai tha më tej se ‘korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja’. “Nga Departamenti Amerikan i Shtetit Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency International e konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit.
Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës.
Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business!
Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit.
Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë, si të vetmin produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët shqiptarë që punojnë ndershmërisht tokën i ke lënë pa mbështetje, me subvencionet direkte më të ulëta në rajon.
Edhe aty ku jepen me pikatore, jepen kryesisht për korrupsion dhe për të blerë vota.
Sipas UNESCO-s je një nga vendet me financimet më të ulëta për arsimin, vetëm 2.3% e PBB-së, më i ulëti në 20 vjet!
Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, gjithmonë sipas Eurostat.
Ndërsa Banka Botërore thekson se e ke renditur Shqipërinë në krah të vendeve afrikane për numrin e mjekëve për banorë dhe se qytetarët kanë pagesa maksimale nga xhepi, duke hedhur në koshin e plehrave gënjeshtrën e shëndetësisë falas.
Dhe kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre për shkak të një pushteti që dha mbështetjen më të ulët ekonomike në Europë. Këtë nuk e them unë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Borxhi publik ka dalë nga binarët, duke kërcënuar të ardhmen e brezave. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin ‘a ka ma keq se me la borxh me borxh.’ Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon”,- deklaroi kreu i PD.
/Priza.al/