‘Kërkuan falje’ Lirohen 4 policët që torturuan të burgosurin shqiptar në Greqi

Mediat greke njoftuan se katër policë grekë të arrestuar “për torturë dhe fyerje të tjera të dinjitetit njerëzor me bashkëpunim” ndaj një të burgosuri shqiptar u lanë të lirë.

“Një oficer policie, tre policë dhe një roje speciale u lanë të lirë pas kërkimit të faljes prej tyre”, njoftuan mediat greke.

Punonjësit e policisë në detyrë ishin përgjegjës për ruajtjen e transferimit të të burgosurve nga Kavalla e Selanikut në burgun e Korydhalos dhe u arrestuan nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Forcave të Sigurisë.

Ishte i burgosuri shqiptar Sajmir Pjetri, i cili deklaroi se e rrahën dhe torturuan, i vendosën në kokë një helmetë motori dhe kur kishte kërkuar ujë, oficerët e refuzuan.

Mjeku që shkoi në burg konfirmoi se rrahjet e pësuara nga i burgosuri shqiptar ishin bërë 24 orët e fundit para pranimit të tij në burg, ndërsa u konfiskuar rrobat që i burgosuri mbante gjatë transferimit.

Oficerët grekë nuk kishin pranuar se kishin ushtruar dhunë dhe sipas tyre vendosja e helmetës ishte bërë pasi i burgosuri kërkonte të dëmtonte veten në mjetin ku po transferohej me 10 të burgosur të tjerë.

Sajmir Pjetri, babi i dy fëmijëve vuante dënimin me burg për drogë dhe grabitje në burgun e Koridhalosit dhe ishte transferuar në Kavalla të Selanikut për një tjetër proces gjyqësor për kundravajtje.

Procesi sipas 32-vjeçarit shqiptar ishte zhvilluar pa praninë e tij dhe ai ishte dërguar një ditë më vonë në gjykatën greke për t`u njohur me vendimin.

Pjetri tha përmes një deklarimi video nga burgu të bërë publik në rrjetet sociale : “nuk shkova në gjykatë se nuk më çoi policia, u dënova në mungesë, kërkova të drejtat e mia pse nuk më treguar për datën e gjyqit dhe më kanë sakatuar”.

Autoritetet shqiptare nuk janë prononcuar për ngjarjen e cila ka gjetur jehonë të gjerë si në mediat greke edhe ato shqiptare./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *